MENU
klinika

Muriqi: Kam punuar edhe kamarier

“Jam i shëmtuar, gruaja ime ndoshta nuk sheh”

10.11.2022 - 19:23

Vedat Muriqi është njëri prej yjeve të momentit në futbollin evropian. Sulmuesi kosovar po shkëlqen në fanellën e Mallorca-s, me të cilën i ka realizuar 8 gola në 12 ndeshje që ka zhvilluar deri tani në La Liga.

28 vjeçari është i vetëdijshëm se nuk është njëri prej lojtarëve të pashëm, por nuk e ka këtë problem. Ai është i lumtur me pamjen e tij, ndërsa e ngacmon gruan e tij për përzgjedhjen e shokut të jetës:

“Aguierre thotë se jam i shëmtuar? Trajneri ka arsye. Jam mjaft i pahijshëm, nuk jam bukurosh, por jam interesant. Gruaja ime? Nuk mendoj se sheh mirë (qesh).

Jemi rritur së bashku, jemi bashkë prej 8 vitesh. Unë e kam publikun tim dhe fansat e mi (qeshet)”, – deklaroi përfaqësuesi kosovar në një intervistë për median spanjolle “Radioestadio”.

Muriqi ndër të tjera ka folur për të kaluarën e tij të vështirë, për luftën në Kosovë që e përjetoi, për punën e kamerierit që e ka bërë dhe për eksperiencat si futbollist.

“E kam përjetuar luftën dhe kam parë gjëra që asnjë njeri nuk do të donte t’i shohë. Kam përjetuar shumë gjëra në jetë. Para disa vitesh kam punuar kamerier në Kosovë, kur isha 13 e 14 vjeç.

Kam parë shumë gjëra. Punoja në një ‘grill house’. Punoja në një skarë dhe kujdesesha për sallatat. Kam filluar të punoj që në moshën 9 vjeçare. Kam bërë punë të ndryshme”, – deklaroi sulmuesi kosovar.

Muriqi ka një mesatare prej 0,66 golash për ndeshje, ndërsa ka në këmbët e tij rreth 85 minuta lojë për ndeshje. Ndër të tjera, Muriqi i ka shënuar mbi 60 për qind të golave të krejt ekipit të Mallorcas, i cili i numëron 13 gola.

Ai është lojtari i vetëm në pesë ligat më të forta evropiane që ka shënuar gol në pesë ndeshjet e fundit radhazi. Ky pa dyshim është një vit magjik për Muriqin.

Nëse ia shtojmë 8 golave të sezonit aktual edhe 5 të tjera të shënuar në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, i bie që prizrenasi i ka realizuar 13 gola në këtë vit kalendarik. Gjithashtu, i ka bërë edhe 4 asistime. Pra, viti 2022 është njëri prej më të mirëve në karrierë të Muriqit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Merr për herë të katërt radhazi titullin kampion

Manchester City shkruan historinë

Ka shënuar 23% të golave pas minutës së ‘90

Granit Xhaka: Jemi të pabesueshëm!

I heq nga duart sfidën Gjermani-Skoci

Tërboi Bayern në Madrid, UEFA nuk fal Marciniak