MENU
klinika

Dosja e bujshme

Fevziu: Rama duhet të japë shpjegim për çështjen “McGonigal”, e ka detyrim

02.02.2023 - 22:12

Gazetari Blendi Fevziu tha se kreu i ekzekutivit Edi Rama e ka detyrim të japë shpjegime, duke shtuar se debatet do të vijojnë mes opozitës dhe mazhorancës. Duke folur në Klan News, Fevziu u shpreh se opozita e tanishme është kapur me këtë rast dhe ka fituar një shans kundër Ramës.

“Rama duhet të japë shpjegim për çështjen McGonigal, e ka detyrim. Është një histori e madhe, ka marrë faqet e para të shtypit botëror por jo aq për Shqipërinë sa për SHBA-në. Përmendet Shqipëria për çështjen ruse sepse kemi luftën në Ukrainë, nuk jemi në kushte normale edhe pse Deripaska ka qenë i sanksionuar më herët se lufta. Ka pasur dy sanksione të mëparshme atë të vitit 2014 në kohën e Krimesë dhe atë të vitit 2018, njëherë në kohën e presidentit Obama dhe njëherë në atë të Trump. Kështu që në këtë aspekt opozita ka marrë një kalë beteje të sajin, a është kali fitues këtë nuk di t’ua them sepse nuk kam një sondazh që të shoh si ndikon kjo në publik. Opozita është kapur me këtë gjë, nga ana tjetër është mazhoranca që ka argumentin se kjo është një histori e mbyllur dhe është një histori që do të mbajë debate edhe në ditët në vijim.”

Sa i takon protestës së thirrur nga PD më 11 Shkurt, Fevziu u shpreh se nuk do ketë masivitet apo mosbindje civile për aq kohë sa revolta nuk nis nga vetë qytetarët.

“Protesta rivitalizojnë opozitën por nuk e di çfarë do bëjnë me protestën. Protestat janë një mjet për të ngjallur opozitën, strukturat politike por nga ana tjetër nuk janë një mjet që të sjellin në pushtet, me përjashtim të atyre masive që bllokojnë qarkullimin normal të jetës. Për sa kohë organizohen nga partitë politike nuk besoj se ndodh. Ato protesta vijnë kur bllokohet realisht jeta e vendit, kur njeriu e ndjen. Lufta kundër armëve kimike përshembull ishte ndjesi qytetare, protesta e studentëve që nuk arriti qëllim të madh por lindi nga ajo. Mosbindja civile duhet të jetë e gjithë qytetarëve jo e njërit krah”-tha Fevziu.

Ai theksoi se e vetmja rrugë e opozitës për të mundur kryeministrin Edi Rama është me votë. Teksa foli për zgjedhjet e 14 Majit, gazetari deklaroi se do të ishte zhgënjyese për qytetarët nëse ngërçi i krijuar brenda Partisë Demokratike nuk zgjidhet.

“Nuk e di nëse kjo vëmendje shkon në sensin e ndëshkimit të qeverisë apo të opozitës. Këtë nuk di ta them sepse nuk kam një analizë të saktë. Unë dëgjova deklaratën e Celibashit që më duket në të njëjtin pozicion me atë të fillimeve, ka një ngërç. Brenda PD-së asaj që quhet zyrtare edhe aty ka kaos, Këshill Kombëtar nuk ka. Një Bashë që ka një vit e gjysëm që ka dhënë dorëheqjen ndërkohë është kryetar me letra. Është si situata e një çifti të divorcuar por që nuk i kanë dalë letrat akoma. Në këtë aspekt, ky është një aspekt komik, duhej zgjidhur brenda opozitës për të dalë me një logo dhe kandidat të vetëm. Nëse nuk e bëjnë është zhgënjim. Të shpërdorosh këtë besim është e patolerueshme.”