Parisi filloi pastrimin e sheshit Champs Elysees të dielën pasi plaçkitësit plaçkitën dyqane luksoze dhe i vunë zjarrin një restoranti në periudhën e fundit të protestave antiqeveritare.
Dhuna shpërtheu në fundjavën e 18-të radhazi të protestave të “Jelekverdhëve” të shtunën, duke detyruar Presidentin francez të kthehej më herët nga pushimi i fundjavës në Paris për një takim urgjent me ministrat.
Zyra e kryeministrit Edouard Philippe tha se dhuna e së shtunës tregoi se marrëveshjet aktuale të sigurisë ishin “të pamjaftueshme”.
Politikanët e opozitës akuzuan qeverinë se nuk janë të përgatitur për trazirat. Kryeministri Edouard Philippe pranoi se kishte pasur “mosfunksionim” dhe “difekte” në aspektin e sigurisë, të cilat qeveria do të punojë që t’i korrigjojë, tha ai.
“Askush nuk mund të thotë se masat e domosdoshme të sigurisë janë vendosur”, tha Jean-Christophe Lagarde nga Partia e Bashkimit të Demokratëve dhe Pavarurve.
Ndërkohë, kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, tha se ajo donte që qeveria të shpjegonte se çfarë ndodhi dhe kërkoi reagimin e saj. Hidalgo i tha gazetës Le Parisien se “kriza sociale dhe politike” në Francë ishte duke shtuar përçarjet.
Protestuesit nuk kanë lënë pothuajse asnjë dyqan të padëmtuar në bulevard. Rreth 80 dyqane dhe restorante, u dogjën ose plaçkitën.
“Ajo që ndodhi sot në Champs-Elysees nuk është më një demonstratë”, tha Macron.
Lëvizja “Jelekverdhët” ka lindur nga zemërimi për rritjen e taksave të karburantit në mes të nëntorit, por u shndërrua në protesta më të gjera, të cilat u bënë të dhunshme në dhjetor.
Pjesëmarrja e protestuesve është pakësuar, pasi Macron zbuloi koncesione për punëtorët me pagesë të ulët dhe disa pensionistë dhe udhëhoqi një debat mbarëkombëtar mbi taksat dhe shërbimet publike.
Megjithatë, demonstrimet e së shtunës tregojnë se ‘Debati i Madh’ ka dështuar të shuajë zemërimin publik.
Policia vlerësoi se 10,000 njerëz u bashkuan me protestën më të fundit në Paris dhe Ministri i Brendshëm Christophe Castaner tha se prej rreth 1,500 prej tyre mund të shkaktojnë probleme.