MENU
klinika

NBA

Nuggets e Raptors kërkojnë vendet e para

04.04.2019 - 11:24

Natë e ngjeshur në NBA, teksa u luajtën plot 12 ndeshje, ku shumë prej tyre u karakterizuan nga lufta e ashpër për të zënë tre vendet e fundit që kanë mbetur ende në lojë për zonën play off në Konferencën e Lindjes.

Philadelphia 76ers, pa Joel Embiid në dispozicion, pësuan humbjen e dytë radhazi në parketin e Atlanta Hawks 130-122 e tashmë duhet të kenë shumë kujdes, sepse rrezikojnë ta humbin vendin e tretë.

7 basketbollistë të Hawks arritën numër dyshifror pikësh, ku spikati me 33 pikë e 12 asiste Trae Young. Përfitojnë nga humbja e 76-ers, si Indiana Pacers, që triumfuan 89-108 ndaj Detroit Pistons, falë 21 pikët e Thaddeus Young, ashtu edhe Boston Celtics, që iu imponuan Miami Heat 102-112.

Fitore pa shumë sforco për Orlando Magic, që kaluan 114-100 New York Knicks, në një sfidë ku spikatën malazezi Nikola Vucevic për vendasit me 29 pikë e 13 rikuperime dhe kroati Mario Hezonja për ekipin nga New Yorku po me 29 pikë, por me dy topa më pak poshtë koshit, 7.

Në Perëndim tashmë janë përcaktuar me kohë skuadrat që marrin pjesë në play off, por sigurisht jo renditja përfundimtare. Denver Nuggets fituan me diferencë 115-83 ndaj San Antioni Spurs.

Në këtë takim ku u dallua nga të tjerët Nikola Jokic me 20 pikë e 11 “rebound”, ndërsa në “Staples Center” Los Angeles Clippers u dorëzuan pa kushte 103-135 ndaj Houston Rockets, me James Harden që rezultoi sërish më i miri i takimit me 31 pikë, i ndjekur nga Paul George me 29 pikë.