Ndërsa bota vuante pasojat e rënda të luftës I Botërore, shumë njerëz shihnin një rreze shprese në filmat e tij edhe pse, pas anës komike të tyre fshihej një jetë e trishtuar. Në një sondazh mbarëbotëror realizuar nga kritikët e kinemasë, Çaplini është votuar si aktori më i madh i historisë së kinematografisë. Me talentin e rrallë çdo shfaqje e tij, nga zbavitje e rëndomtë, shndërrohej në art mirëfilli.
Çarli Çaplini u lind në Londër, më 16 prill 1889. Ishte duartrokitur për lojën në skenë që 5-vjeçar, kur zëvendësonte të ëmën në aktrim. Dhjetë vjeç, nën drejtimin e të atit, iu bashkua një trupe teatri për fëmijë dhe filloi të japë shfaqje në të gjithë vendin. Gjashtëmbëdhjetë vjeç ishte ndër aktorët më popullorë në Londër. Tri vjet më vonë, pas kthimit nga Amerika, më 1916 vendos të xhirojë filmin e tij, duke krijuar karakterin e famshëm të endacakut. Bashkë me të mëdhenjtë e Hollivudit, D.W. Grifith, Mary Pickford dhe Douglas Fairbanks, themelon studion “United Artists”.
Pas karrierës së suksesshme, jeta private e artistit ishte shumë e vështirë. Martesat me vajza shumë më të reja se ai në moshë, përfunduan në mënyrë dramatike me divorce. Më në fund martesa e tij e katërt zgjati deri në fund të jetës së Çaplinit, më 1977. Në kohën e periudhës së Makartizmit, në Amerikë, Çaplini dyshohej si përkrahës i komunizmit sidomos për komedinë e tij të zezë “Dritat e Skenës” 1952. Vendimi për të ruajtur qytetarinë angleze u pa me dyshim nga autoritetet dhe FBI e ndiqte për evazion fiskal. Ndërsa diskutohej dëbimi i tij, autoritetet amerikane e ndaluan të hyjë në Amerikë kur ishte duke u kthyer nga pushimet me familjen. Më në fund vendoset në Zvicër ku xhiron dy filma dhe shkruan autobiografinë.
Më 1972 i jepet çmimi “Oscar” për karrierën dhe autoritetet i japin leje speciale për të hyrë në Amerikë.
Mjeshtër i tragjikomedisë
Bileta e tij e suksesit ishte “endacaku”: bastuni, mustaqet, veshja karakter. Por, ai krijoi një karakter krejtësisht kontradiktor: endacakun, zotërinë, poetin dhe të braktisurin, i trazuar nga ëndrrat, i intriguar nga shkenca. Ishte kjo figurë që mbeti maja e karrierës së tij, që vijoi me 35 filma.
Ky perfeksion kontrollonte gjithë procesin e realizimit të filmit. Ai donte një skenë ku një karrocë cirku ecte në vetmi. Qëllimi ishte që t’i shtonte një ndjenjë të hollë komedive të tij. Çaplini e kishte kuptuar dobësinë e njeriut përballë natyrës dhe ishte i bindur se humori është e vetmja mënyrë për t’i bërë ballë asaj. E qeshura, besonte Çaplini, lind prej kontradiktës.
Spektatori shpërthen në të qeshura kur endacaku e gjen veten herë pas here, në situata të pavolitshme. Përvoja e tij e hershme në jetë i pat mësuar se e qeshura dhe dhimbja janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ai thoshte se në rini, romanin “Oliver Tuist” të Dikensit e mbante poshtë jastëkut. Kjo dëshmon se asnjëherë nuk e harroi fëmijërinë e tij të varfër.
Regjisori Jean Cocteau, një nga artistët e talentuar të shekullit të njëzetë, thoshte se Çaplini e përdor të qeshurën si gjuhë universale për të gjithë popujt e botës, pavarësisht moshës dhe racës. Kurse regjisori Haward Hawaks e quante “Don Kishoti i komedisë”. “Dritat e skenës” ishte i fundit dhe më mbresëlënësi film i Çaplinit. Në atë film, ai i kthehet pas karrierës 40-vjeçare si aktor.
Po aty, ai shprehet se jeta mund të jetë e mrekullueshme nëse nuk e ke frikë. Gjithçka për të cilën ke nevojë, është kuraja dhe imagjinata. Ai mendonte se në jetë ka gjëra më të tmerrshme sesa vdekja, prandaj nuk duhet hequr dorë prej jetës.