Galeria FAB mirëpriti piktorin Lekë Tasi. Ekspozita “Vizatimet e një jete” është konceptuar si një përzgjedhje e veprimtarisë artistike afatgjatë, të një artisti, me një të shkuar të dhimbshme. Gjatë viteve të persekutimit, ai përdori pikturën në mungesë të lirisë së shprehjes, si e vetmja mënyrë komunikimi dhe armë kundër rrymës, po ashtu.
Ekspozita vjen e realizuar sipas përzgjedhjes, në punët artistike tejet afatgjata të një personi, që dikur, jetonte në persekutim dhe në të tilla kushte, nuk mund të shprehej lirisht përmes fjalës.
Ekspozita vetjake “Vizatime të një jete” e Lekë Tasit është mundësuar në galerinë FAB, në bashkëpunim me Platformën e Artit Bashkohor Harabel. Nën kurimin e studiuesit Zef Paci dhe Platformës Harabel, kjo është ekspozita e parë e vizatimeve të Tasit. Ekspozita është dhurata me rastin e 90-vjetorit të lindjes, për autorin. E kuruar sipas një përzgjedhje të veprave artistike që datojnë vite më parë, ajo përfaqëson jetën e një personi që dikur i persekutuar dhe në mungesën e plotë të lirisë së fjalës a shkrimit, zgjodhi të përdorë vizatimin, si mjeti komunikues në jetën e përditshme.
“Vizatimet e Lekë Tasit, ruajnë frymën e historive të vogla, anekdotave, lojës, thashethemes; herë-herë përçojnë diçka epshore. Ai kërkon të tërheqë e drejtojë vëmendjen nëpërmjet asaj çka vizaton kah tensioneve të fshehura dhe të padëgjuara, që gjallojnë hapësirën.”, – ka cilësuar, kuratori, Zef Paci.
Lekë Tasi u internua më 1975-ën, për arsye politike, në Grabjan të Lushnjës, ku kaloi një rini tejet të vështirë. Të afërmit e tij, thuasje të gjithë kanë qenë të burgosur politikë, nga babai, xhaxhai, daja dhe i vëllai. Për rrjedhojë, ai është konsideruar si pjesëtarë i një familjeje të padëshiruar nga regjimi, që do të persekutohej si shumë të tjerë: e internuan. Ndërsa studionte për violonçel, ai ndërpret edhe studimin e instrumentit, sepse në internim ishte i dënuar të merrej me punë në bujqësi.
E gjithë jeta e tij artistike, ka kaluar përmes vështirësive. Artisti kishte lindur në një familje me bindje të thella antikomuniste. Kështu, prej viti 1957, atij i mohuan shumë të drejta. Kohë me pas, kur nisi të merrej kryesisht me pikturën, iu hoqën nga ekspozita dy punime, ndërsa më 1967-ën e pushuan, duke e dënuar që të punonte në fermë. Aty mes njerëzve të vuajtur, ai e shkroi historinë e të internuarve me një kod të veçantë artistik, duke e bërë të paharrueshme.
Ekspozita “Vizatime të një jete” e Lekë Tasit, në ambientet e galerisë FAB, pranë Universitetit të Arteve, do të vijojë e hapur për publikun, deri më 28 prill 2019.
Pak rreth jetës dhe biografisë së artistit|:
Lekë Tasi ka lindur në vitin 1929, në Athinë, në një familje emigrantësh shqiptarë. Ai studioi muzikë dhe punoi si violonçelist në Radio, Filarmoni dhe në Teatrin e Operës (1946-1967). I pushuar për arsye politike dhe i internuar asokohe në Myzeqe, atij iu desh të punonte në bujqësi. Viti 1990, do të ishte koha kur ai do të lirohej përfundimisht nga zgjedha e komunizmit. Më pas, më 1991 u emërua në sekretariatin për fenë në ministrinë e Kulturës dhe më vonë, në Kryeministri, deri në vitin 1998.
Piktura ka qenë pjesë e tij që në vogëli; fillimisht me grafikë (akuarel, tempera, pastel, bojë kineze, flomaster) dhe më vonë, gati e gjitha në vaj. Si autodidakt, punimet e tij janë vlerëuar qysh herët nga piktorët e mirënjohur: Mio, Buza, Zajmi dhe Paskali, me të cilët piktori këshillohej vazhdimisht.
Lekë Tasi ka marrë pjesë në ekspozitën e përbashkët të organizuar nga fondacioni “Soros” (1992) pranë Piramidës, si dhe numëron katër ekspozita pranë GKA (në vitet 1992, 2003, 2007, 2015). Së bashku me piktorët Ll. Blido dhe R. Guci kanë ekspozuar në galerinë “Jozef” (Durrës, 2005). Tri herë pjesëmarrës në ekspozitën “Onufri” gjatë viteve ’90; artisti shënon pjesëmarrjen e fundit në vitin 2004, me ekspozitën “Vende të spikatura”.
Si ekspozitat vetjake të Lekë Tasit, kujtojmë ato në galeritë: “Exit” (Pejë, 2005), “Zeta” (Tiranë, 2012), si dhe “DIDART” (Tiranë, 2008-2012). Ndërsa s ai takon publikut të huaj, Tasi ka ekspozuar në Muzeun e Artit Bashkohor në Xhenova (Genova, Itali), bashkë me 25 artistë të tjerë, në ekspozitën “Arti në Shqipëri – para dhe pas vitit 1990” (nëntor 2009 – shkurt 2010). Po jashtë kufijve, piktori ka çelur ekspozitën vetjake, në Alba, Galeria d`Arte – Angelo Galeasso, të titulluar “La Mia Academia delle Ore Libere” (21-29 korrik, 2014). Ndërkohë, në prill 2016, së bashku me 163 artistë shqiptarë, Lekë Tasi ka qenë pjesëmarrës i veprimtarisë nga Luciano Benetton Collection për“Imago Mundi”./Konica.al
Nga: Hera Lera