MENU
klinika

"Respektoi vullnetin e..."

Zgjedhjet në Kosovë/ Cili është kandidati i preferuar i Bashës?

05.10.2019 - 19:32

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24” ka folur edhe për zgjedhjet që mbahen nesër në Kosovë.

Basha u pyet se cili është kandidati i tij i preferuar për t’u bërë kryeministër i Kosovës. Kreu demokrat deklaroi se e ka një preferencë, por nuk dëshiron ta thotë, pasi kjo do të përbënte një ndikim te zgjedhësit.

Lulzim Basha theksoi se uron e beson se qytetarët e Kosovës do të bëjnë zgjedhjen e duhur e do të zgjedhin nesër vlerat.

Pyetje: Z. Basha ne po arrijmë drejt fundit të intervistës. Nesër janë zgjedhjet në Kosovë, a keni ju një preferencë?

Lulzim Basha: Unë ju uroj qytetarëve të Kosovës që nesër të kenë një festë të demokracisë, të zgjedhin alternativën më të mirë, të votojnë për konsolidimin e shtetit të Kosovës, të votojnë për Kosovën e vlerave europiane, për Kosovën që lufton krimin dhe korrupsionin, për Kosovën e shpresave dhe qëllimeve të brezit të ri, të të rinjve dhe të rejave të Kosovës që janë burim frymëzimi dhe janë edhe burimi i energjisë për një Kosovë europiane, krah për krah një Shqipërie europiane në mënyrë që të lëmë pas periudhën e ngarkuar me kriza, të ngarkuar me korrupsion, të ngarkuar me humbje shprese.

Të rikthejmë shpresën sepse nuk na mungon asgjë. Na ka munguar vetëm vullneti për të ecur përpara, na ka munguar vullneti për të vendosur qytetarët tanë të parët. Jam i bindur se qytetarët e Kosovës nesër do të vijnë të zgjedhin për ata që i vënë qytetarët e Kosovës të parët dhe jo vetën e tyre apo pushtetin e tyre.

Pyetje: Ju vetë keni një preferencë?

Lulzim Basha: Padyshim që po, por edhe më shumë nga pozitat e kryetarit të Partisë Demokratike nuk mund ta shpreh, as dëshiroj ta shpreh, sepse kjo do të përbënte një ndikim në procesin elektoral në Kosovë. Dhe unë besoj se i takon qytetarëve të Kosovës që të vendosin me votën e tyre të cilën PD dhe unë personalisht e respektoj, siç e kam respektuar gjithmonë.