Pas barazimit me Teutën, Kukësi nuk ka vonuar dhe pritet që sot pasdite Skënder Gega të prezantohet si trajneri i skuadrës. Tekniku, që nxori kampion Partizanin në edicionin e kaluar ka pranuar ofertën e bërë nga presidenti i klubit verilindor, Safet Gjici.
Gjici kërkonte një emër që e njeh mirë Superioren dhe Gega është i tillë pasi arriti të drejtonte me shumë sukses Partizanin drejt titullit në një sezon që pakkush e priste.
Klubi bëri të ditur se sot pasdite do të prezantohet trajneri i ri i ekipit, pa publikuar emrin, por do të jetë Gega ai, që do të ulet në pankinë dhe do të nisë punën për të kthyer verilindorët në shinat e duhura pas disa rezultateve që kanë lënë për të dëshiruar.
Kjo nuk është hera e parë kur Gega dhe Kukësi kanë qenë në bisedime për pankinën e verilindorëve. Palët ishin shumë pranë akordit në verën e vitit 2017, por trajneri në fund vendosi të refuzonte ofertën e bërë asokohe nga presidenti Safet Gjici.