MENU
klinika

Bajroni dhe Agolli

“Çajld Harold” dhe “Nënë Shqipëri”

03.02.2021 - 16:07

        Nga: Dr. Dorian Koçi

Vepra e Lord Byron-it e sidomos poema “Shtegtimet e Child Harold-it”, ka pasur një jehonë të madhe në Shqipëri. Kjo memorie historike e jehonë letrare vjen që nga fillimet e Rilindjes Kombëtare ku e veprimtarë të shquar të saj në kuadër të zgjimit kombëtar të shqiptarëve e përkthejnë dhe e përmendin Kanton II të poemës “Shtegtimet e Child Harold-it” ku flitet për vizitën e Bajronit në Shqipëri dhe shqiptarët.Vepra e Lord Byron-it e sidomos poema “Shtegtimet e Child Harold-it”, ka pasur një jehonë të madhe në Shqipëri. Kjo memorie historike e jehonë letrare vjen që nga fillimet e Rilindjes Kombëtare ku e veprimtarë të shquar të saj në kuadër të zgjimit kombëtar të shqiptarëve e përkthejnë dhe e përmendin Kanton II të poemës Shtegtimet e Child Harold-it ku flitet për vizitën e Bajronit në Shqipëri dhe shqiptarët.

Në vitin 1973 poema “Chajld Harold” ribotohet sërish dhe sërish ajo ka një ndikim në kulturën shqiptare. Një influencë tjetër e vargjeve të Bajronit mbi veprën e një prej poetëve të shquar shqiptarë Dritëro Agolli nuk është studiuar ose nuk është nënvizuar nga kritika. Poema “Nënë Shqipëri” (1974) është vepra më e gjatë në vargje e D. Agollit. Edhe vetëm kjo e dhënë ka peshën e saj në përcaktimin e vendit që poema zë në krijimtarinë e poetit, por edhe në historinë e letërsisë shqiptare në tërësi.Dhjetë kapituj, një hyrje dhe një mbyllje – vetë kjo ngrehinë e veprës flet shumë për rëndësinë dhe vëmendjen e veçantë që i ka kushtuar poeti kësaj teme, për mendimet dhe përjetimet që ajo ka zgjuar në mendjen dhe vetëdijen e tij që përpara se të ulej të shkruante vargjet e para dhe deri në çastin, kur ai i mbylli përfundimisht fletët e dorëshkrimit dhe e quajti veten të plotësuar me atë që kishte nxjerrë nga duart.(Shpetim Çuçka Pse e shkroi Dritëroi “Nënë Shqipëri”. Gazeta Shqiptare).

Në poemë ndihet ndikimi romantik Bajronian në disa motive, leksik dhe vargje që na rikujtojnë poemën e famshme “Childe Harold” të Bajronit. Së pari nuk e di nëse mund të jetë një koincidencë por ribotimi i Shtegtimeve të Childe Harold ndodh në vtin 1973 dhe një vit më vonë në 1974 botohet poema “Nënë Shqipëri” e Agollit. Ashtu si gjithë poetët e njohur as Agolli nuk ka shpëtuar procesit të njohur të rileximit dhe nuk përjashtohet mundësia që gjatë kohës që shkruante “Nënë Shqipëri” të ketë rilexuar poemën “Shtegtimet e Childe Haroldit”. Imazhi dhe figuracioni kryesor që bie në sy në vargjet e Bajronit kushtuar Shqipërisë është identifikimi i saj në rolin e nënës, një figuracioni shumë romantik. Pavarësisht faktit që Bajroni e identifikon Shqipërinë si “nënë e ashpër” sërish në poemë ndihet lidhja nënë bij kur autori fillon dhe rrëfen bëmat e shqiptarëve të identifikuar si “bij të rreptë”. Ky motiv gjendet dhe në poemën “Nënë Shqipëri” të Dritëro Agollit kur autori që në fillim të saj ashtu si dhe Bajroni për të evokuar frymëzimin e vet i drejtohet Shqipërisë.

Nënë Shqipëri, nënë Shqipëri!
trokasin rrokjet, trokasin vargjet
trokasin hapat në jug e Veri, trokasin pikat nën strehët e pragjet:
Nënë Shqipëri, nënë Shqipëri!
(Dritëro Agolli. Nënë Shqipëri. Vepra Letrare 2)

Sigurisht që tek Agolli ndihet më tepër emocionaliteti dhe afërsia me të cilën i drejtohet revokimit të Shqipërisë si nënë, pasi tek ai Shqipëria nuk është vetëm një burim frymëzimi romantik por edhe atdheu i të parëve të vet. Agolli krijon një lidhje të vërtetë nënë-bir kur shprehet:
lermë të bie në prehrin tonë të ngrohtë,

o hallemadhja ime shekullore!
të të puth duart e tua, më të mirat në botë ,
i ngazëlluar të hesht me heshtje foshnjore.
(Dritëro Agolli. Nënë Shqipëri. Vepra Letrare 2)

Një motiv tjetër që dëshmon influencën e romantizmit në të dy poemat është përdorimi i vargjeve dhe metrikës popullore për të thyer rrëfimin linear të ngjarjeve. Bajroni si një dishepull i Romantizmit e kishte bërë të tij principin e gjetjes së motiveve në folklor dhe në atë që Herderi e quante volgeist-shpirti i popullit. Është fakt i njohur se vargjet e famshme Tamburxhi, Tamburxhi në poemën Childe Harold u frymëzuan nga folklori shqiptar dhe madje ka autorë dhe kritikë që këmbëngulin se vargjet e famshme ishin një përkthim i lirë i një kënge shqiptare. Po kështu për të njëtin efekt gjejmë të poema “Nënë Shqipëri” të Agollit vargjet e këngëve të nizamëve që janë të përfshira në poemë. Përdorimi i këngëve , vargjeve dhe metrikës popullore shqiptare krijojnë një atmosferë që ndërthur rrëfimin poetik me veprimin e shpejtë duke i dhënë dinamizëm lirizmit romantik të poemave.

Kontakti i Bajronit me botën shqiptare ishtë në të njëjtën kohë edhe magjepsje nga ana e këtij të fundit për kostumet dhe etnografinë shqiptare. Në letrën e tij dërguar së ëmës ai shprehet për shqiptarët se ata janë të veshur me petkun e tyre (me më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të qëndisura me ar me anteri e jelek kadifeje të kuqe të qëndisura me oje të arta), me jataganë e pisqollë të sërmët. ( Përkthyer nga Skënder Luarasi. Citohet sipas librit të Profesor Afrim Karagjozit “ Miti Shqiptar për Bajronin”). Këto përshtypje të tij janë të pasqyruara edhe në poemën “Childe Harold” ku një motiv kryesor zënë vargjet për fustanellat dhe kostumet shqiptare.

Përcjellësit ia nisën këngës tyre;
Çdo Palikar e flaku tutje shpatën/
Kërcyen dorëpërdorë njëri pas tjetrit,
Me këngë apo vajtim u drodhën fustanellat.
(Bajron. Cajld Harold. Përkthyer nga Skënder Luarasi)

Po kështu në poemë krahinat e ndryshme të Shqipërisë identifikohen përmes kostumeve popullore. Bajroni shkruan:

E kush është aqë trim sa Sulioti zeshkan,
Me fustane të bardhë e të zi tallagan,
apo Maqedhoni dërgon bijt’ e tij fitimtarë
Lenë gjahun në pyll në gjak për të larë
Mandilet e kuqe, t’i skuqin më shumë
Në gjakun e luftës që rjedh posi lumë.
(Bajron. Cajld Harold. Përkthyer nga Skënder Luarasi)

Imazhi i fustanellës edhe i kostumeve popullore shqiptare është i pranishëm dhe në poemën “Nënë Shqipëri” të Agollit. Edhe pse Agolli është një poet modern me një distancë kohore më shumë se 150 vjet nga Bajroni, ai përdor imazhin e fustanellës e xhubletës për të përshkruar figurën e Nënë Shqipëri.

Lermë të bie në prehrin tënd plot ledhatime
O hallemadhja ime shekullore!

Le të hyjë në shpirtin çdo fëshfërimë
E fustanellës dhe xhubletës sate malore!
(Dritëro Agolli. Nënë Shqipëri. Vepra Letrare 2)

Natyra dhe bukuritë e saj si strehë e poetëve romantikë ku ata gjejnë frymëzimin është një tipar tjetër që duket se ka frymëzuar jo vetëm Bajronin si një nga përfaqësuesit më të njohur të Romanrizmit por edhe Agollin. Bajroni e përjetoi nëpërmjet sublimes bukurinë e natyrës shqiptare. Këto përshypje e impresione poetike i gjejmë tek poema Childe Harold, kur ai përshkruan viset shqiptare.

Nga mati i zymtë shqiptar, Haroldi
Kaloi gjer në kërthizë të Ilirisë,

për pllajë e male fort të madhërishëm
E vise që Historia s’i kujton
Në Atikën e përmendur rrallë sheh
Lugina kaq të bukura: s’ka Tempia
Stoli q’aty se gjen; Parnas i dashur,
Megjithëse vend klasik i shenjtëruar
S’krahasohet dot me viset që fsheh ky bregdet”
(Bajron. Cajld Harold. Përkthyer nga Skënder Luarasi)

Edhe Agolli tek poema e tij “Nënë Shqipëri” duket që operon artistikisht e po të njëtin figuracion e imazhe letrare kur i këndon Nënës Shqipëri. Ai krijon një mit të bukurisë që ringjallet e rinohet pa përmendur vende të shenjta në mitologji por duke nënkuptuar se elemëntët e natyrës shqiptare e kanë këtë dhunti.

Ti syte lan ne mengjes me ujin e krojeve te maleve
Ti lleret lemon ne mengjes me shkumen e deteve,
Ti faqet fshin me peshqirin e madh te livadheve,
Ti floket lyen me lengun e luleve te bjeshkevE
Dhe cdo mengjes behesh me e re dhe perze zhubra e
rudha.
(Dritëro Agolli. Nënë Shqipëri. Vepra Letrare 2)

Përshkrimi i natyrës, i maleve dhe lumenjve të Shqipërisë është i ngjashëm i në të dy poemat. Bajroni e përshkruan hyrjen për në Tepelenë me nota romantike e gjithë ngjyra.

ioPërshkrimi i natyrës, i maleve dhe lumenjve të Shqipërisë është i ngjashëm i në të dy poemat. Bajroni e përshkruan hyrjen për në Tepelenë me nota romantike e gjithë ngjyra.
Dielli po perëndon përtej Tomorit,
E Vjosa vjen me valë të egërsuar;
Hijet e natës po mbulojnë dhenë.
Tek rusej me kujdes tërthores thikë,
Haroldi pa, si meteor në qiell,
Xhamit’ e ndritura të Tepelenës
Dhe muret e kalasë përmbi lumë.
Sa qasej, ndjente zhurmë luftëtarësh
E cila shtonte flladin vajtimtar të grykës.
(Bajron. Cajld Harold . Përkthyer nga Skënder Luarasi)
I njëjti rrëfim poetik na vjen dhe nga pena e Agollit kur përshkruan dhe sendërton në vargje Shqipërinë nga jugu në veri, nga lindja në perëndim.
Ja, mbi sup të Nëmërçkës
Dielli ngre kokën si dashi\
Mbi vetull të Dajtit hëna-mënjanë si feste.
Korabi hesht me lara të bardha
Siç hesht pas kullotjes balashi;
Shkëlzeni si dhëndër i kaltër pret nusen në feste
Tomor e Shpirag
Njëri me hark
Tjetri me shpatë
Qendrojnë të veshur gri si shqytarë ilirë ;
Cukali mban topuzin me krahun e djathtë
Me gjoks nga Buna e lirë

(Dritëro Agolli. Nënë Shqipëri. Vepra Letrare 2)

Struktura e udhëtimit epik në kohë dhe hapësirë me revokimin e së shkuarës është aspekti tjetër që në rastin e Bajronit tingëlloi origjinal dhe e ktheu poemën e tij në një nga më të famshmet në letërsinë botërore, kurse ideologjizimi i pashmangshëm i poemës “Nënë Shqipëri” e ktheu vrulli e shpërthim lirik e poetik të Agollit në një poemë epike me ngjyrime majakovskiane. Gjithësesi pavarësisht këtij fakti influenca Bajroniane dhe e letërsisë klasike duket se e ka shpëtuar si tekst “Nënë Shqipëri” që rilexohet edhe sot e të konsiderohet si një nga poemat më të mira epike të letërsisë shqipe. Në këtë mënyrë Bajroni me modernitetin e tij si poet romantik nuk shërbeu vetëm si ilustrues i idesë së ringjalljes së vlerësimit Shqipërisë nga të huajt por edhe si frymëzues i përjetësisë dhe eternitetit të Shqipërisë në kulturën shqiptare sa herë u përkthye e u botua vepra e tij në gjuhën shqipe.

 

Bibliografi:
1- Dritëro Agolli. Nënë Shqipëri. Vepra Letrare 2
2- Bajron. Cajld Harold . Përkthyer nga Skënder Luarasi
3- Letra e bajroni dërguar së ëmës. Përkthyer nga Skënder Luarasi. Citohet sipas librit të Profesor Afrim Karagjozit “ Miti Shqiptar për Bajronin

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agolli, poeti i tokës, njeriut dhe... vdekjes.

“Ç’t’i bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg”

Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’