Duket se fitorja e vetme për Cleveland Cavaliers ishte thjesht një mirazh, pasi ish-skuadra e LeBron James është rikthyer menjëherë te humbja, duke zhgënjyer të pranishmit në “Quicken Loans Arena” përballë Denver Nuggets.
Me rezultatin 91-110 përfundoi kjo ndeshje, që deri në mesin e periodës së dytë foli për vendësit, por që më pas u dominua nga Nuggets, në radhët e të cilëve tregoi formë të mirë spanjolli Hernangomez me 23 pikë.
Ndërkohë, ka ardhur edhe humbja e parë sezonale për Milwaukee Bucks, që kishte surprizuar duke i fituar të 6 sfidat e parë të sezonit të rregullt në NBA. Skuadra e drejtuar nga Mike Budenholzer u mposht 117-113 nga Boston Celtics në “TD Garden”, edhe pse iu afrua shumë përmbysjes së rezultatit në periodën e fundit.
Giannis Antetokounmpo dhuroi një tjetër paraqitje mbresëlënëse, duke shënuar 33 pikë dhe kontrolluar 11 topa poshtë koshit, për në fund festa ishte për Celtics, tek të cilët spikati Irving me 28 pikë.
Russell Westbrook me 29 pikë, 10 asiste dhe 8 rikuperime ishte inspiruesi i Oklahoma City Thunder në fitoren 107 – 111 në parketin e Charlotte Hornets. Abrines dhe Shroeder shtuan respektivisht 25 dhe 21 pikë për Thunder, që pas startit të dobët regjistruan suksesin e tretë radhazi.
Joel Embiid ishte i papërmbajtshëm në triumfin 122-113 të Philadephia 76ers përballë Los Angeles Clippers. 41 pikë dhe 13 rikuperime për “yllin” e 76ers në vetëm 33 minuta mbi parket.
Atlanta Hawks pësoi një humbje të rëndë 115-146 brenda në “Philips Arena” nga Sacramento Kings, për të cilët spikati Fox me 31 pikë, 15 asiste dhe 10 rikuperime, ndërsa Portland Trail Blazers, të udhëhequr nga Randle, që e mbylli takimin me 29 pikë, mposhtën 132-119 New Orleans Pelicans.