Pavarësisht se nuk luajnë më të mirët, medalja ka rëndësi për pjesëmarrësit. Futbolli në Olimpiadë nuk do të jetë sporti që do të vjedhë skenën për shkak të limitit të moshës nën 23-vjeç.
Megjithatë çdo kombëtareje i lejohet të grumbullojë tre lojtarë sipër kësaj moshe dhe yjet nuk do të mungojnë as në evenimentin madhështor që do të nisë pas pak ditësh në Japoni.
Dani Alves, Marco Asensio dhe Franck Kessie janë vetëm disa nga emrat më të njohur që do të përfaqësojnë vendet e tyre në Olimpiadë. Favorite kryesore për të triumfuar në Tokyo 2020 është Spanja, që pas eliminimit në gjysmëfinalet e Euro 2020, ka vendosur të shkojë me artilerinë e rëndë edhe në Japoni.
Pikërisht nga skuadra e Luis Enriques përfaqësuesja olimpike ka huazuar disa nga lojtarët më të spikatur si Pedri, Dani Olmo dhe Mikel Oyarzabal të cilëve u shtohen lojtarë të shkëlqyer si Dani Ceballos i Arsenal dhe Marco Asensio i Real Madrid.
Pas Spanjës skuadra tjetër më e kompletuar është Brazili që i është kundërpërgjigjur La Rojas me futbollistë si Antony i Ajax-it, Gabriel Martinelli i Arsenal e Richarlison i Everton, megjithatë ai që do të udhëheqë Seleçaon në fushë do të jetë një veteran si Dani Alves.
Argjentina dhe Franca vijnë me skuadra të reja në moshë dhe pa shumë emra të mëdhenj, ndërkohë që te Gjermania lojtarët më të spikatur janë Maximilian Arnold i Ëolfsburg dhe Benjamin Henrics i Leipzig.