Barazimi dramatik i Shqipërisë ndaj Islandës ka tronditur ndjeshëm stolin e Edy Rejës, teksa gjasat janë të mëdha që mes trajnerit aktual dhe FSHF-së të ketë një “divorc”.
Një ndër emrat që ka dalë në skenë si kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin e Kombëtares në rast largimi të Rejës është Gianni De Biasi. Gjithsesi, ish-trajneri që shkroi historinë me Shqipërinë në Kampionatin Evropian të vitit 2016, e ka mohuar një rikthim te kuqezinjtë.
“Kam kontratë me Azerbajxhanin deri më 30 shtator dhe më pas do t’i shqyrtoj të gjitha ofertat që do t’i kem përpara. Lërini spekulimet! Shumicën e kohës janë si era. Në botën mediatike 95% të fjalëve janë gënjeshtra”, – ka thënë shkurtimisht De Biasi.