Një zhvillim tjetër për mbrojtësin se Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Shkodrani mund të transferohet te Lazio. Igli Tare mund të jetë “shpëtimi” për Elseid Hysajn dhe të zgjidhë disa nga pasiguritë rreth të ardhmes së mbrojtësit.
Në një moment kur te Napoli mbrojtësi ka përfunduar në stolin e rezervave, drejtuesi shqiptar i Lazios po planifikon që të bëjë një lëvizje për të afruar bashkëkombësin e tij në radhët e bardhekaltërve.
Tare ka ndjekur Hysajn që në fillimet e karrierës së tij tek Empoli, por në fund Napoli ia rrëmbeu nga duart duke dyfishuar ofertën që kishte bërë asokohe drejtuesi i bardhekaltërve.
Tani çmimi i Hysajt është rritur ndjeshëm, por edhe pretendimet e Lazios, që kërkon futbollistë të afirmuar dhe me shumë eksperiencë. Hysaj është i tillë, pavarësisht moshës së re dhe normalisht ka nevojë që të luajë rregullisht, gjë që te Napoli nuk ndodh më.
Sipas “Il Messaggiero”, Tare po mendon që të marrë Hysajn te Lazio, ku Inzaghi do t’i garantonte një vend si titullar të padiskutueshëm në prapavijën, e cila e ka të vështirë të ruajë rrjetën e paprekur në këtë sezon.
Kostoja e operacionit është rreth 20 milionë euro, e lartë për Lazion që zakonisht nuk bën ndërhyrje të tilla në merkato në janar. Por kur bëhet fjalë për Igli Taren, asgjë nuk është e pamundur, teksa mund të përfshihet edhe ndonjë lojtar tjetër në shkëmbim.