Jose Mourinho është bërë sërish protagonist. Portugezi përsëri është rrëzuar, kësaj here para një ndeshje hokeji, teksa do të niste tapën e parë.
Ish-trajneri i Manchester United ka krijuar një lidhje të ngushtë me Rusinë që nga Botërori i vitit të kaluar kur fitoi disa miliona euro si komentator për mediat vendase.
Ndaj në periudhën që është i papunë, në pritje të ekipit të ri, tekniku ka shfrytëzuar kohën e lirë për t’u kthyer përsëri në Moskë për aktivitete të tjera të mirëpaguara.
Por ai në të cilin ka marrë pjesë sot, një ndeshje e hokejit mes Avangard dhe SKA, nuk shkoi ashtu siç mendonte trajneri, i cili dhuroi një spektakël të paparashikuar.
Mourinho duhej të niste lojën në mënyrë simbolike, por sapo ka hedhur tapën në akull, duke u larguar me shpejtësi, ai u ngatërrua në tapetin e kuq që kishin shtruar për të dhe u rrëzua duke u përplasur në akull.