MENU
klinika

Ylli i NBA

“Lakers ka potencial për t’u shpallur kampion”

25.09.2018 - 16:41

Më 1 tetor rikthehet magjia e NBA, kampionatit amerikan basketbollit, i cilësuar si më madhështori dhe më i ndjekuri në kontinentin përtej oqeanit, por jo vetëm. Skuadrat kanë kryer tashmë lëvizjet në merkato, gjithashtu edhe fazën përgatitore, dhe janë gati për të zbritur në parket.

Të shumtë janë pretendentët, si në koferencën e lindjes, ashtu edhe në atë të perëndimit. LeBron James u duk mjaft entuziast për aventurën e tij të re me Los Angeles Lakers. Ai që konsiderohet si basketbollisti më i mirë në ditët e sotme, foli për ditët e para në Los Angeles, duke premtuar se do të japë maksimumin e tij për ekipin e ri.

“Nuk ndiej asnjë presion. Zgjedhja ime u bë duke u bazuar fillimisht te familja ime, prandaj mendova për Lakers. Jam një lojtar basketbolli. Kur jam duke bërë atë që di më mirë, të gjitha gjërat shkojnë siç duhet”.

LeBron James te Lakers
LeBron James te Lakers

Sigurisht, kjo do të jetë një aventurë e veçantë në karrierën e LeBron, pas eksperiencave me Cleveland Cavaliers dhe Miami Heat. Për herë të parë ai do të luajë në Konferencën e Perëndimit, e cila konsiderohet si një “ferr” i vërtetë, për shkak të rivalitetit të fortë.

“Kemi një ekip shumë të mirë, lojtarë të cilët mund të bëjnë gjëra të ndryshme. Kur të fillojmë stërvitjen, do të jetë si dita e parë e shkollës për mua. Do mundohemi të rivalizojmë me çdo ekip, kemi potencialin e duhur”.

Pas disa vitesh mungesë në play off e tërheqjes të Kobe Bryant, Lakers do të hyjnë në një epokë krejtësisht të re për ta, me legjendën e ekipit, Magic Johnson, në rolin e Presidentit e LeBron James si lider të skuadrës. Mbetet për t’u parë se sa do të zhvillohet loja e tyre, me ardhjen e James në ekip.