MENU
klinika

NBA

Lakers thyen kampionët, yjet nuk shkëlqejnë

26.12.2018 - 12:07

Është zhvilluar një nga ndeshjet më të bukura të NBA, teksa Golden State Warriors dhe Los Angeles Lakers u përballën mes tyre. Një sfidë brenda sfidës, ku Stephen Curry dhe Kevin Durant dueluan me LeBron James, një lloj revanshi për “Mbretin”, pas dy humbjeve radhazi në finalet e NBA.

Në “Oracle Arena” kalifornianët u dhanë një leksion kampionëve në fuqi, duke fituar 101-127, shifra këto që lënë pak vend për diskutim. Pas një periode të parë të ekuilibruar, Lakers morën epërsinë, duke e bërë diferencën në periodën e fundit me një rezultat të pjesshëm 19-39 e duke e mbyllur me pas sfidën me 26 pikë më shumë.

LeBron James ishte detyruar të largohej nga loja në periodën e tretë për shkak të një problemi muskular, por mungesa e tij nuk e pengoi formacionin e Luke Walton t’i imponohej me prepotencë kundërshtarit.

James për 21 minuta që qëndroi mbi parket realizoi 17 pikë dhe kontrolloi 15 topa poshtë koshit. Ndërsa ishte një mbrëmje për t’u harruar e Stephen Curry-t, që u ndal me 15 pikë, ndërsa Kevin Durant e mbylli me 21 pikë.

Përballje mjaft interesante edhe në “Toyota Center” mes Houston Rockets dhe Oklahoma City Thunder, që përfundoi 113-109. James Harden me 41 pikë, 7 asiste dhe 6 topa poshtë koshit fitoi sfidën me dyshen Paul George-Russell Wesbrook (49 pikë në total).

U luajt koha shtesë për të përcaktuar fituesin mes Boston Celtics dhe Philadelphia 76ers. 108-108 u mbyll koha e rregullt, por festa në fund ishte për vendësit që triumfuan 121-114 në “TD Garden”.

Kyrie Irving tregoi klasin e tij me plot 40 pikë. “Ylli” i Celtics ishte vendimtar në barazimin e takimit në sekondat e fundit të kohës së rregullt, duke rezultuar MVP i ndeshjes.

Në “Madison Square Garden” Neë York Nicks iu imponuan 109-95 Milwaukee Bucks, duke e bërë të pavlefshme paraqitjen mbresëlënëse të Giannis Antetokounmpo, që spikati me 30 pikë dhe 14 topa poshtë koshit.