MENU
klinika

Bukuria!

Këshilla dhe receta për një fytyrë sa më të pastër

05.04.2019 - 21:11

Duke qenë se lëkura e fytyrës vazhdimisht grumbullon papastërti, edhe pastrimi, edhe kujdesi ndaj saj duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i rregullt. Është e rëndësishme të theksohet se kujdesi ndaj saj duhet të jetë sa më natyral dhe produktet duhet të jenë delikate, pa përbërës kimikë dhe sintetikë.

Përveç sapunit, të gjithë e dimë se duhet përdorur dy herë në ditë, (larje me ujë të ftohtë edhe në dimër), lëkura do edhe përkujdesje të tjera. Lëkurat e thata dhe të yndyrshme janë edhe më problematike se lëkura normale, prandaj nevojitet shumë kujdes. Hapi i parë pas sapunit, është skrabi.

Në mënyrë që lëkura të jetë sa më e gatshme për t’u pastruar nga pikat e zeza, duhet të jetë pastruar më parë nga shtresa e qelizave të vdekura që e pengojnë lëkurën për proceset e tjera të pastrimit dhe ushqyerjes.

1.Skrabi duhet bërë 2-3 herë në javë për lëkurat e yndyrshme, 2 herë në javë për lëkurat e thata, 1 herë në javë për lëkurat normale (skrabi duhet bërë me delikatesë pa ushtruar forcë, duke punuar me lëvizje rrethore, në të gjithë fytyrën). Skrabi eliminon toksinën nga lëkura, qelizat e vdekura, dhe papastërtitë e sipërfaqshme, që e bëjnë lëkurën të duket e pajetë.

2.Avulli, i cili duhet bërë të paktën një herë në muaj (avulli duhet bërë pas skrabit). Kjo gjë ndihmon në qarkullimin e gjakut dhe në pastrimin e pikave të zeza. Skrabi dhe avulli ndihmojnë edhe në pakësimin e akneve apo puçrrave. Shtoni vaj esencial të livandës dhe sherebelës, që avulli të jetë më i efektshëm për pikat e zeza, ose vaj esencial rozmarine, që avulli të jetë më çlodhës për lëkurat e stresuara.

Kujdes! Avulli nuk duhet të zgjasë më shumë se 10 minuta.

3.Pas skrabit, avullit dhe maskës, rituali përfundohet me masazh në fytyrë. Për masazh duhet patjetër vaj bajamesh të ëmbla, lajthie ose kokosi, të cilat ndihmojnë në mbylljen e poreve dhe në rastet më problematike, kokosi vazhdon pastrimin e pikave të zeza, duke i nxjerrë ato më në sipërfaqe. Kështu, pastrimi i pikave të zeza do të jetë më i lehtë përmes një tamponi pambuku. Pra, masazhi me vajra ndihmon në një pastrim edhe më të thellë, tkurrje poresh, tonifikim të lëkurës dhe ushqim të vazhdueshëm të saj.

Këshilla të tjera të specializuara për një fytyrë të pastër

1.Kur zgjidhni produktet për fytyrën, lexoni mirë përmbajtjet e tyre në etiketë. Nëse etiketa përmban emra kimikatesh që nuk i njihni, bëni mirë të mos i blini.

2.Kur vendosni të blini, atëherë të gjitha produktet duhet të jenë të një linje të vetme. Nuk është mirë që kremi i ditës të jetë linjë tjetër dhe ai i natës nga një tjetër.

3.Mos bëni skrab, avull dhe pastrime më tepër nga ç’duhet, sepse dëmtojnë lëkurën.

4.Shmangini plotësisht përmbajtjet agresive.

5.Masazhojeni fytyrën çdo natë para se të flini. Kjo do të ndihmojë jo vetëm për një gjumë të qetë, por edhe për të mbajtur fytyrën në formë.

6.Mos e prekni lëkurën gjatë ditës me dua të papastra, duart mbajnë shumë mikrobe të cilat e “sëmurin” lëkurën e fytyrës.