MENU
klinika

“Veronikë, 20 vjet”

Kur Kosova e vegjëlisë ishte në luftë

06.05.2019 - 16:47

Është ekspozita e çelur së fundmi, pranë bibliotekës “Pjetër Bogdani”, si kujtesë e ditëve të vështira. “Veronikë, 20 vjet” – ekspozita është konceptuar me fotografi dhe reportazhe, me autor Hazir Rekën.

Fotografitë janë të shkrepura nga viti 1998, deri në përfundimin e luftës. Përmes tyre, dëshmohen tmerret e përjetuara nga shqiptarët, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

 

 

Nerimane Kamberi – Reka profesoreshë pranë Departamentit të Gjuhës Frënge, bashkëshortja e fotografit Reka, tha se kjo ekspozitë rikthen në kujtesën e shqiptarëve tmerrin dhe vuajtjet e përjetuara 20 vjet më parë.

“Ekspozita e fotografive të Hazir Rekës është ilustruese e një ngjarje më të madhe kulturore dhe gazetareske. Kujtesa kolektive, ngjarjet që i kanë përjetuar shqiptarët ndër vite, por, sidomos njëzetë vitet e fundit, jemi përqendruar kryesisht në ’98-ën, kur kanë ikur shqiptarët në malet e Kishnarekës dhe në rrëfimin e një vajze, e cila ka lindur në mal dhe është bërë personazh i reportazhit të gazetares zvicerane Veronik Paske, e cila gjithashtu i ka vënë emrin, sot vajza quhet Veronikë”, – ka thënë ajo.

 

 

Veronikë Zeka, vajza e cila është protagonistë në këtë ekspozitë, u shpreh e mahnitur me ndryshimet që kanë ndodhur 20 vjet pas realizimit të fotografive nga Hazir Reka.

“Sot, këtu jemi në ekspozitën ‘Veronikë, 20 vjet’, me realizime nga fotografi Hazir Reka, që për mua janë mjaft interesante. Tani po shoh, se sa shumë ndryshime ka pasur gjatë kësaj kohe”,- është shprehur Veronika, tashmë e rritur.