MENU
klinika

Analiza e Kumbullës dhe Rrahmanit

Verona shkëlqeu falë dy shqiptarëve

16.06.2020 - 16:34

Rreth një vit më parë, Verona ishte pothuajse gjithmonë në pozicionet e fundit. Me një moshë mesatare të skuadrës shumë të ulët, kjo skuadër e Serie A kishte krijuar më shumë se hutim në mesin e ekspertëve. Sidoqoftë, nën drejtimin e Ivan Juric, gjithçka ka ndryshuar.

Përshtypjet e para dolën të gabuara me kalimin e javëve dhe me rrjedhën e lojës së bukur të ofruar nga ekipi në fjalë, sigurisht ndër surprizat më të bukura dhe interesante të këtij kampionati. Mentaliteti pozitiv dhe qasja sulmuese, një manovër e zhvilluar kryesisht nga krahët, për të përtuar nga galopimet e të jashtmëve përbëjnë thelbin e modulit 3-4-2-1.

Sipas “Goal.com” në versionin italisht, në këtë ekip befasues ranë në sy, veçanërisht, tre lojtarë të panjohur për shumicën e njerëzve: Marash Kumbulla dhe Amir Rrahmani në mbrojtje, si dhe Sofyan Amrabat në mesfushë. Kjo treshe është shtylla kurrizore e këtij ekipi, që shpesh ua ka vështirësuar jetën gjigantëve të Serie A (humbja e Juventusit në “Bentegodi” është prova e kësaj).

Për qendërmbrojtësin shqiptar me nënshtetësi italiane (Marash Kumbulla lindi në Peschiera del Garda në vitin 2000), Verona nuk duhej të bënte përpjekje ekonomike. Kumbulla, në fakt, u rrit në sektorin e të rinjve të klubit, me të cilin u bashkua vetëm 8 vjeç.

Dhe pastaj kaloi tërë procesin e maturimit dhe rritjes, derisa debutoi me ekipin e parë sezonin e kaluar (vetëm 2 paraqitje totale). Ardhja e Juric e ndryshoi totalisht jetën e tij. Titullar i paluajtshëm që nga fillimi i kampionatit aktual, ai provoi edhe kënaqësinë e shënimit të golit të parë në Serie A, më 5 tetor 2019, në fitoren 2-0 ndaj Sampdoria.

Në realitet, golat do të ishin dy, nëse vetëm disa centimetra nuk do t’ia kishin hequr gëzimin e shënimit personal në ndeshjen e tuar në shtëpi kundër Juventusit. Ndoshta ishte ajo ndeshje, që i bëri bardhezinjtë të dashuroheshin me Kumbullën, për të cilën pritet një betejë në merkato me Interin.

Zikaltrit kanë treguar interesin më të madh dhe tani për tani mund ta konsiderojnë veten në avantazh, por duhet të bëjnë kujdes nga kampionët e Italisë dhe Lazio. Edhe bardhekaltrit, përmes shqiptarit Igli Tare, kanë kërkuar informacion nga presidenti Setti.

Ndërsa kosovari Amir Rrahmani (ka luajtur me Kombëtaren e Shqipërisë), gjithashtu, e di se Verona nuk do të jetë më në të ardhmen e tij. Në sezonin 2020-2021 ai do të luajë për Napolin, i cili për të ka ofruar 14 milionë euro, plus 1.5 milionë bonuse.

Për vetë lojtarin e kombëtares së Kosovës është gati paga prej 1.8 milionë euro, për pesë sezone. Një tjetër fitim kapitali për Hellas Verona, e cila e mori atë 12 muaj më parë nga Dinamo Zagreb për pak më shumë se 2 milionë euro. Një shifër e vogël, nëse marrim parasysh evolucionin teknik dhe taktik të regjistruar nga djaloshi Kosovar që prej zbarkimit në Serie A.

Që nga viti 2016 ai ka luajtur me kombëtaren e Kosovës, pasi mori leje nga FIFA, pasi më parë kishte zhvilluar dy ndeshje me Shqipërinë. Në vitin 2019 ai u bë kapiten i kombëtares më të re të Ballkanit, që madje ëndërron të kualikohet në Kampionatin Europian, të shtyrë për më 2021.

Gjysmëfinalja e “play off”-it kundër Maqedonisë së Veriut, përveç finales eventuale kundër njërës mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë, janë dy pengesat e fundit që duhet të kalojë Rrahmani drejt finaleve të Euro 2020.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kapiteni i Kosovës, elozhe mbrojtësit

Rrahmani: Kumbulla, më i fortë se De Ligt