MENU
klinika

Rekordi i legjendës

Askush si Roger Federer në tenis

04.11.2020 - 12:50

Roger Federer nuk luan që prej janarit të këtij viti. Por tenisti zviceran vijon ende të jetë në vendin e katërt të renditjes botërore. Në klasikimin e ri të publikuar më 3 nëntor nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit, Federer ka siguruar javën numër 1000 mes “20 tenistëve më të mirë në botë”. Askush si ai!

Ky është një rekord absolut në këtë sport, duke lënë pas Andrea Agassi me 868 javë në vendin e dytë dhe Jimmy Connors me 860 javë në vendin e tretë. Nga këto 1000 javë, 998 janë radhazi në “Top-20” për Federer, që pritet të rikthehet në fushë në Australian Open në fundin e janarit, i pari grand slam për vitin e ardhshëm.

Këtë vit, zvicerani është operuar dy herë. U mendua se pas ndërhyrjes së dytë ai do të tërhiqej, por 39 vjeçari do të tentojë të triumfojë edhe në vitin e ardhshëm. Federer deklaroi pak kohë më parë që nëse trupi i tij nuk do të reagojë ashtu si ai dëshiron do të tërhiqet, por këtë do t’ia lërë fushës.

Në karrierën brilante, Roger Federer ka fituar 103 turne, plot 27 gran slam, ku spikat me rekordin në Wimbledon, 8 herë. E ka nisur karrierën si profesionist në vitin 1998 dhe pas 22 vitesh ai është një legjendë e gjallë e tenisit.