MENU
klinika

Champions League

16 sfida radhazi pa humbje, Bayern kërkon rekordin

03.12.2020 - 14:51

Barazimi 1-1 i Bayern Munich përballë Atletico Madrid në xhiron e pestë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve e dërgoi në 16 numrin e sfidave pa humbje të gjermanëve në këtë kompeticion. Një ecuri që e shndërron Bayern në një skuadër të pathyeshme dhe dinamike në kompeticionet Europiane.

Por, gjermanët nuk janë skuadra më e mirë në këtë aspekt. Edhe pse kanë shumë takime për të zhvilluar në këtë kompeticion, skuadra e këtij sezoni renditet e katërta për ecurinë më të mirë në historinë e Champions League.

Manchester United shijoi dy sekuenca prej 16 ndeshjesh pa humbje, pa dyshim në kulmin e mbretërimit të Sir Alex Ferguson me klubin, Djajtë e Kuq dominonin në Premier League dhe ishin pretendentë të përhershëm për çmimin më të madh të Evropës në fund të viteve nëntëdhjetë dhe fillimin e viteve 2000.

solskjaer ferguson

Në të njëjtin ritëm ishte edhe ecuria e Barcelonës së sezonit 2010-2011, ku pjesë e saj ishin talentë si Lionel Messi dhe dy gjenitë e futbollit, Xavi dhe Andres Iniesta. Skuadra aktuale e Bayern Munchen është vetëm tri ndeshje larg barazimit të sezonit më të gjatë të pamposhtur të klubit në Ligën e Kampionëve, një sekuencë prej 19 ndeshjeve të regjistruara midis marsit 2001 dhe prillit 2002.

Me 19 sfida pa humbje u ndal edhe Ajaxi i mesit të viteve ’90, ku në gjirin e saj ishin yjet e futbollit holandez, Clarence Seedorf, Marc Overmars dhe Patrick Kluivert. Ajax u kurorëzua si kampion i Evropës për herë të parë që nga epoka e artë e klubit në vitet shtatëdhjetë.

Manchester United është skuadra që mban rekordin për ecurinë më të mirë në Ligën e Kampionëve, me 25 ndeshje pa humbje, regjistruar në 2 sezone midis shtatorit 2007 dhe maj 2009. Por Bayern ka ecurinë më të mirë në transferta, teksa nuk është mposhtur në 19 ndeshje prej më shumë se 3 vjet, me 15 fitore dhe 4 barazime.