MENU
klinika

NBA

Maskë e detyrueshme edhe në pankinë

10.12.2020 - 13:52

Në prag të sezonit 2020-2021 në NBA, do të jenë në fuqi disa vendime provizore, që janë marrë si pasojë e pandemisë Covid-19. Një prej tyre ka lidhje me trajnerët dhe stafin e tyre. Të gjithë në pankinë duhet të mbajnë maskë përgjatë gjithë ndeshjes dhe nuk duhet ta heqin atë.

Përjashtim për ta ulur disi maskën bëjnë trajnerët, por ajo nuk duhet ulur shumë. Ky është vendimi i organizatorëve NBA që merret për të ulur numrin e infektimeve me Covid-19 mes lojtarëve dhe stafit gjatë ndeshjes. Disa trajnerë në NBA mbi moshën 60 vjeç janë më të rrezikuar për t’u infektuar.

Ndërkohë, e fundit që vjen nga NBA është dëshira e Pau Gasol për të luajtur me kampionët e Los Angeles Lakers, aty ku ka firmosur vëllai i tij Marc Gasol. Basketbollisti spanjoll ka luajtur për 7 sezone me Lakers nga 2008 deri 2014, duke fituar 2 tituj kampionë.

Në atë kohë, me ekipin kalifornian luante edhe Kobe Bryant dhe ata të dy formuan një dyshe fituese. 40-vjeçari spanjoll nuk luan prej një viti si pasojë e një dëmtimi. Pau është gati të rikthehet në fushë dhe të luajë sërish me Lakers, ku pak ditë më parë nënshkroi edhe vëllai i tij Marc Gasol.