MENU
klinika

Duke anashkaluar kundërshtimet e NATO-s

Kosova në heshtje po ndërton ushtrinë e saj

13.08.2021 - 16:49

Kosova ka gjetur një mënyrë ndaj rezervave të NATO -s rreth idesë së shndërrimit të Forcës së Sigurisë të armatosur lehtë në një ushtri të rregullt.

Kundërshtimi nga Serbia, e cila ende pretendon se Kosova është territor i saj, liderët si dhe mungesa e pajtimit brenda shteteve anëtare të NATO-s, e ka detyruar Kosovën ta ndjekë këtë ide përmes rrugëve të tjera.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë në fillim të korrikut, Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s, Jens Stoltenberg përsëriti kundërshtimet e aleancës për ta ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK, të cilën parlamenti i Kosovës e votoi për ta ringritur në ushtri në muajin dhjetor 2018.

NATO-ja dëshiron që FSK-ja t’i përmbahet mandatit të saj fillestar, të dhënë në vitin 2009, si një forcë e cila menaxhon katastrofat emergjente.

Stoltenberg ishte ndër të parët që reagoi kur deputetët e Kosovës e miratuan ligjin për ta shndërruar FSK-në në ushtri, duke e quajtur atë një “vendim të parakohshëm”.

“NATO do të vazhdojë të punojë me Forcën e Sigurisë së Kosovës brenda mandatit të saj origjinal. Kjo është ajo që ne kemi rënë dakord të ofrojmë për implementim dhe kjo gjithashtu pasqyron faktin se në NATO ka edhe disa aleatë që janë që nuk e njohin Kosovën si shtet”, tha Stoltenberg në Prishtinë.

Ai iu referua katër shteteve anëtare të NATO-s, Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Greqisë, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, Todd Jacobus, oficer në pension i Ushtrisë Amerikane i cili ka punuar si këshilltar i NATO-s në Ministrinë e FSK-së, tani Ministria e Mbrojtjes, i tha BIRN se pozicioni i NATO-s nuk ishte aq i qartë sa dukej.

“Nuk besoj se ‘pozicioni neutral’ i statusit të NATO-s ndaj Kosovës ndikon në bashkëpunimin që ka të bëjë me çështjet ushtarake me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, vuri në dukje ai.

Mandati fillestar i FSK-së, të cilit i referohej Stoltenberg, ishte që të kryente operacione të reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione të mbrojtjes civile brenda Kosovës dhe të ndihmonte në trajtimin e fatkeqësive natyrore.

Ligji i ri i votuar nga parlamenti i Kosovës parashikon një komponentë aktive deri në 5,000 anëtarë, një rritje e konsiderueshme nga 3,000 të lejuar nën mandatin e mëparshëm – dhe një komponentë rezervë prej jo më shumë se 3,000 anëtarësh.

Në aspektin ushtarak, NATO vazhdon të mirëmbajë forcën e saj paqeruajtëse në Kosovë, KFOR, një mision që filloi në qershorin e vitit 1999 pas 78 ditësh sulmesh ajrore që detyruan Serbinë të tërhiqte policinë dhe ushtrinë e saj nga Kosova.

Operacioni paqeruajtës i NATO-s, megjithatë, është zvogëluar për nga kapaciteti, nga 50,000 trupa në terren që ishte 22 vjet më parë në rreth 3,800 paqeruajtës sot, të ardhur nga 28 vende kontribuuese.

NATO nuk habitet nga dëshira e Kosovës për ushtri

Ndërkohë që FSK-ja supozohej të ishte një forcë multietnike, pak anëtarë të komunitetit të reduktuar serb të Kosovës, apo pakicave të tjera etnike, janë regjistruar deri më tani.

Disa syresh që iu bashkuan kësaj force u detyruan të tërhiqen nga radhët e saj pasi u pretendua se morën kërcënime nga Beogradi.

Ekspertja e çështjeve të sigurisë në Kosovë, Besa Kabashi-Ramaj i tha BIRN se NATO-ja parashikonte lëvizje nga ana kosovare për të zhvilluar një ushtri të rregullt.

“NATO-ja nuk u befasua kur FSK-ja u transformua në ushtri”, tha Kabashi-Ramaj.

“Zhvillimi i kësaj ushtrie po bëhet përmes shteteve anëtare të NATO-s”, shtoi ajo.

Pretendimi i Kabashi-Ramajt duket se mbështetet nga zhvillime të ndryshme që nga dhjetori i vitit 2018.

Që atëherë, shtetet anëtare të NATO-s, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania dhe Turqia, në raste të ndryshme kanë ofruar mundësi arsimore për pjesëtarët e FSK-së dhe pajisje ushtarake për forcën, si me blerje ashtu edhe me donacione.

Për më tepër, bashkëpunimi dypalësh arriti një nivel të ri këtë vit kur, në muajin maj të këtij viti, rreth 330 anëtarë të FSK-së morën pjesë në stërvitjen ushtarake “Defender Europe 21” të udhëhequr nga SHBA-ja. Kjo ishte hera e parë që Kosova vepronte si vend mikpritës për një stërvitje kaq të rëndësishme ushtarake ndërkombëtare.

Përveç kësaj, një kontigjent i vogël i anëtarëve të FSK-së u bë pjesë e paqeruajtësve amerikanë në Kuvajt në mars të këtij viti për një mision fillestar gjashtëmujor.

“Jam i bindur se FSK-ja do të shndërrohet në një forcë të duhur ushtarake sapo t’u jepet autoriteti për ta bërë këtë”, tha Todd Jacobus për BIRN.

“Komandantët, oficerët dhe udhëheqësit nënoficerë në të gjithë Forcën e Sigurisë së Kosovës kanë ndjekur kurse udhëheqëse strategjike, operacionale dhe taktike në shumë vende evropiane, si dhe në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, dhe kanë krijuar marrëdhënie profesionale në të gjithë botën”, shtoi ai.

Sipas mendimit të Jacobus, hezitimi i komunitetit ndërkombëtar për ta pranuar ndryshimin e mandatit të FSK-së nuk ishte e habitshme për ligjvënësit e Kosovës dhe ata i kuptuan pasojat e mundshme të votës së tyre.

“Përparësitë e këtij vendimi duhet të kenë tejkaluar disavantazhet nga perspektiva e ligjvënësve të Kosovës. Sigurisht, qytetarët e Kosovës presin që parlamenti të marrë vendime që janë në interesin më të mirë të Kosovës, dhe ata përmbushën detyrimin e tyre ndaj popullit të Kosovës përmes këtij vendimi”, tha Jacobus.

Buxheti në mbrojtje ka pësuar rritje

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës nuk i ka bërë të ditura shifrat për investimet në armatim ndër vite, megjithatë buxheti i përgjithshëm për ministrinë është rritur që nga viti 2018, kur qeveria i alokoi asaj 53.6 milionë euro, deri në vitin 2021, ndërkohë që shifra e deriatëhershme ishte 66.6 milionë euro.

“Ministria është në një proces të implementimit të planit të saj 10-vjeçar të tranzicionit për FSK-në, që nënkupton ndërtimin dhe zhvillimin e aftësive të saj operacionale me burimet e nevojshme njerëzore, materiale dhe teknologjike, si dhe sistemet e nevojshme mbrojtëse për përmbushjen e misionit të saj kushtetues dhe detyrimeve ligjore”, tha ajo për BIRN përmes një përgjigje me shkrim.

Më 30 qershor, kur kabineti i kryeministrit i raportoi Albin Kurtit për 100 ditët e para në detyrë, ministri i mbrojtjes Armend Mehaj tha se qeveria i kishte ndarë 12.2 milionë euro shtesë për blerje.

“Kemi bërë rishikimin e buxhetit për vitin 2021 dhe kemi ndarë përsëri 7.7 milionë euro për blerje ushtarake, ndërsa qeveria ka ndarë fonde shtesë për blerje, 4.5 milionë euro vetëm për blerje ushtarake, veçanërisht dronë”, tha Mehaj.

Me miratimin e ligjeve që ndryshuan kompetencat e FSK-së në vitin 2018, parlamenti i Kosovës e anashkaloi nevojën për t’i miratuar ndryshimet kushtetuese të kërkuara për ta shndërruar zyrtarisht FSK-në në një ushtri të rregullt – të cilën Serbia e kundërshton ashpër.

Një detyrim kushtetues për këtë do të kërkonte një “shumicë të dyfishtë” – që nënkupton mbështetjen e dy të tretave të të gjithë 120 deputetëve dhe dy të tretave të 20 deputetëve etnikë jo shqiptarë.

Deputetët serbë të Kosovës që mbajnë 10 nga 20 vendet në parlament të rezervuara për komunitetet joshqiptare kanë bllokuar të gjitha nismat e tilla në të kaluarën.

Në Beograd, kur deputetët e Kosovës votuan për transformimin e FSK-së, presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se çdo lloj ushtrie e Kosovës do të ishte “e jashtëligjshme” dhe se “me këtë veprim, ata rrezikojnë paqen dhe sigurinë”.

Todd Jacobus thotë se, me zgjerimin e fushëveprimit të misionit të FSK-së, “shtrirja e mbështetjes e ofruar nga partnerët bilateralë gjithashtu do të transformohej”.

“Duket se vendimi për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës do të jetë më shumë një sfidë për ligjvënësit dhe liderët civilë sesa implementimi i vendimit nga shërbimet e uniformuara të Kosovës”, shtoi ai.

Besa Kabashi-Ramaj ndërkohë minimizon pretendimet serbe se ndryshimi i FSK-së në ushtri ka rrezikuar stabilitetin rajonal.

“FSK-ja vetëm stabilizon rajonin. Kosova nuk është duke e ngritur një ushtri e cila mund të përfshihet në ndonjë pushtim të vendeve të rajonit. Është qesharake të dëgjosh se një ushtri kaq e vogël mund ta rrezikojë sigurinë në rajon”, përfundoi ajo.