MENU
klinika

Serie A, Java 15

Tetë gola në “Olimpico”, por nuk ka fitues

02.12.2021 - 23:47

Një ndeshje spektakolare në Serie A, Lazio dhe Udinese dhuruan spektakël mes tyre, një ndeshje që përfundoi 4-4, me gjithcka brenda fushës së lojës, por pa fitues në “Olimpico”.

Ndeshja është mbyllur pas 111 minutash. Udinese e nisi ndeshjen në sulm dhe ndëshkoi dy herë bardhekaltërit vendas, falë Beto i cili e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë mes përgjumjes së prapavijës.

Një gol i Immobiles zgjoi Lazion, por Molina ndëshkoi përsëri kryeqytetasit në fundin e pjesës së parë. Pjesa e dytë pa Lazion më agresive dhe Pedro me Milinkoviç-Saviç brenda pak minutash barazuan rezultatin në 3-3.

Patric la lacialët me 10 lojtarë pasi u ndëshkua me të kuq, ndërsa pak minuta më vonë të njëjtin fat kishte edhe Molina për Udinesen. Në minutën e 79’, Acerbi pa t’i anulohej goli për pozicion jashtë loje, por pas rishikimit me VAR, vendimi i asistentit ndryshoi dhe Lazio për herë të parë e pa veten në avantazh.

Megjithatë, në shtesën e ndeshjes, kur regjistrohej minuta e 99’, erdhi goli i barazimit 4-4 me Arslan. Festimet e tepruara të lojtarëve të Udineses sollën një zënkë në mes të fushës mes dy skuadrave dhe Uollas u ndëshkua me të kuq para vërshëllimës përfundimtare për miqtë.