Në prag të garës 5 në finalet NBA trajneri i Golden State, Steve Kerr u paraqit me 10 minuta vonesë para gazetarëve.
Ai e nisi konferencën pa pritur duke u shprehur: “Nuk kemi asnjë të re për Kevin Durant, do ju informojmë sapo të kemi lajme për dëmtimin e tij”.
Tentativa për të shmangur temën Durant ishte e kotë, sepse më pas shumë pyetje ishin pikërisht për yllin e Golden State, i cili pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen e fundit dhe natyrisht të gjithë pyesin pse duhej të kthehej në fushë basketbollisti më i mirë i ligës, kur ishte ende i dëmtuar.
Klubi deklaroi se shëndeti i sportistit ishte prioritet dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me yllin e ekipit, por ndërkohë më pas ndodhi diçka e çuditshme.
Thuajse në të njëjtën kohë me konferencën Durant postonte në Instagram një foto ku shfaqej në një dhomë spital, pas operacionit në tendinën e Akilit të këmbës së djathtë.
“Po ju përditësoj për situatën time: në fund ishte e pashmangshme, kam këputur tendinën e Akilit. Operacioni u krye sot me sukses dhe tani nisi udhëtimi drejt kthimit në fushë! Po vuaj shumë, por jam OK. Uroj që vëllezërit e mi ta fitojnë ndeshjen numër 6 dhe do jem aty, për të bërë tifozin”, shkruan ndër të tjera Durant.
Postimi i tij ka befasuar të gjithë, sepse trajneri Kerr tha që nuk kishte të reja dhe me sa duket nuk ishte i informuar për operacionin, ashtu si klubi.
“Muaji i fundit ka parë një bashkëpunim të plotë mes klubit, stafit mjekësor dhe agjentit të Durant, por edhe mjekëve jashtë klubit, të cilët kanë vlerësuar gjendjen e Durant në mënyrë të pavarur.
Nga të gjitha konsultimet rezultoi se lojtari mund të luante, frika e vetme ishte një dëmtim i ri në pulpë, askush nuk e mendonte tendinën e Akilit. Nuk kishte sinjale për rrezikun e një dëmtimi të tillë”, u shpreh ai.