MENU
klinika

Flet futbollisti Albi Alla

“Koronavirusi? Në Kinë, jo kaq stres sa në Europë”

11.02.2020 - 20:57

Bota është tronditur kohët e fundit nga përhapja e koronavirusit, që tashmë ka marrë jetën e afro 1 mijë vetëve. Aktualisht kampionati kinez i futbollist dhe jo vetëm ky sport, është ndërprerë.

Në Ligën e Parë luan edhe ish-futbollisti i Kukësit, Albi Alla, që është grumbulluar edhe me ekipin kombëtar. Mbrojtësi 27-vjeçar ka firmosur për 3 vite me kinezët e Shaanxi Chang’an Athletic, teksa do të përfitojë në total 1.5 milionë dollarë. Por çfarë do të ndodhë tashmë me lojtarin? Ja cfarë thotë Alla për “Panorama Sport”:

“Aktualisht ndodhem në Greqi te shtëpia ime. Kam ardhur për të marrë një dokument që më duhej për vizën, prandaj dhe jam akoma këtu. Sa i përket virusit, nga informacionet që kam nga Kina, njerëzit aty nuk e kanë marr aq me stres këtë situatë. Thjesht janë shumë të kujdesshëm në kontaktet me njerëzit e tjerë.

Nuk besoj se do të arrijë kjo situatë deri në prishje të kontratës me klubin kinez. Ne si lojtarë japim raport përditë te mjeku i ekipit për gjendjen tonë shëndetësore. Nga ato që më kanë thënë shokët e ekipit, situatën nuk e kanë marrë me aq frikë siç dhe po raportohet në Europë.

Po vazhdojnë jetën normale, edhe pse me shumë kujdes. Do vazhdoj stërvitjen individualisht këtu në Greqi, derisa të mbarojë kjo situatë. Pastaj, sapo të na njoftojnë, do të iki prapë në Kinë për t’iu bashkuar ekipit.”