Shqipëria luan nesër në orën 20:45 përballë Izraelit, ndeshjen e dytë të vlefshme për Ligën e Kombeve. Në konferencën e zakonshme për shtyp ka folur trajneri Reja.
“Ka raste që ekipi shprehet mirë dhe nuk vjen rezultati i duhur. Me eksperiencën që kam këto tre vjet them se kemi bërë shumë ndeshje të mira. Intensiteti është i lartë në këtë momente dhe lojtarët janë të lodhur. Shpresoj të bëj zgjedhjet e duhura.
E kuptoj që bëjnë kritika, si trajner mund të ketë 10 milionë shqiptarë që bëjnë kritika. Kam parë te skuadra disa faktorë të mirë. Lojtarët janë përgjigjur mirë.
Komplimente skuadrës sepse lojtarët kanë treguar përkushtim. Fundi i kampionatit, influencon shumë pjesa e kontratës. Detyra ime të gjej lojtarët që janë më të qetë dhe të motivuar. Është pjesë e punës. Ka lojtarë që e nisin me ne dhe pastaj menjëherë me klubet, pa pasur pushime. I falenderoj lojtarët që janë përgjigjur në çdo moment.
Nuk jam i shqetësuar për pjesën e motit, sepse nuk ndryshon asgjë. Ajo që dua unë të kemi dëshirën për të fituar. Dua të japim rendimentin më të mirë në fushë”.
Izraeli? – Ato ndeshje të mëparshme me Izraelin janë ndeshje të historive të tjera. Tani ata kanë lojtarë të tjerë dhe po jetojmë realitete të ndryshme. Ndaj nuk mund të marrim diçka nga e kaluara, edhe pse ekipi ka ndonjë lojtar si atëherë. Është një skuadër që vrapon shumë, lojtarët që ka janë ofensive dhe të shpejtë, edhe krahët e mbrojtjes marrin pjesë në aksione ofensive.
Kjo mënyrë loje mund të lërë hapësira ku ne duhet të shfrytëzojmë, sidomos sa i përket fazës mbrojtëse. Të mos i lejojmë atyre që të krijojnë superioritet numerik dhe te nisemi me shpejtësi. Kjo është mënyra taktike që duhet të bëjmë mirë këtë ndeshje dhe të mundohemi ta fitojmë.
Puna në skuadër? – Ne po punojmë që të mundohemi të propozojmë sa më shumë aksione ofensive. Për shembull duke parë edhe një herë ndeshjen me Islandën, nuk kemi arritur asnjëherë kaq shumë në fundore, por për fat të keq finalizimi që është aspekti i konkretizimit të punës, nuk na del, në një mënyrë apo tjetër.
Kemi probleme në pasimin e fundit, e kemi diskutuar edhe me djemtë. Do të gjej zgjidhje të tjera si ndaj Islandës për të vënë në vështirësi Izraelin. Nga kjo pikëpamje kemi përgatitur mirë skuadrën për të shfrytëzuar situatat. Pastaj në fushë shihet kush e meriton më shumë a më pak, është një diskutim që mbetet i hapur, se nëse e merr në konsideratë asnjë skuadër nuk ka asgjë për të humbur.
Si Islanda, Izraeli e Shqipëri, rënie nuk ka, ndaj tension nga ana jonë nuk ka. Ndaj do të luajmë të hapur dhe do ta bëjnë edhe të tjerët. Ideja jonë është të mos humbim ndeshjen, dhe të mos vuajmë se ata shtyjnë përpara me shumë lojtarë.
Kjo taktikë mund të të vërë në vështirësi, sepse janë të shpejtë, të bëjnë presion në çdo cep të fushës. Kur gjen këto skuadra mund të kesh vështirësi. Por edhe ne kemi forcat tona, ne do të punojmë që t’i vëmë në vështirësi duke marrë në konsideratë vlerat e kësaj skuadre se ka vlera të rëndësishme.
Uzuni-Broja? – Nuk e kam zakon të them se kush luan para ndeshjes. Janë mirë të dy. Uzuni u shërua dhe kur u kthyem tregoi se është në gjendje 100%. E njëjta për Brojën. Kush do luajë, do e ruaj për nesër, kur t’u them djemve. Shpresojmë të jenë mirë, nëse aktivizohen, shpresojmë të jenë në formë që të na zgjidhin problemet në fazën ofensive.