Sh.B.Tirana, e drejtuar nga Mirza Alibegaj, është shpallur fituese e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, pas fitores 58-55 ndaj Flamurtarit në finalen e luajtur sot në mbrëmje në sallën e lojërave “Feti Borova” në kryeqytet.
Një ndeshje me shumë emocione dhe dramacitet, ku të dy ekipet dueluan fort deri në sekondat e fundit për fitore, por në fund triumfuan basketbollistet bardheblu.
Vlonjatet patën një shans në 10 sekondat e fundit për ta çuar ndeshjen në shtesë, por gabuan. Fitorja e skuadrës kryeqytetase ishte e merituar, pasi e dominoi ndeshjen në shumicën e kohës, me përjashtim të disa minutave në periodën e tretë.
Pasi mposhtën Tiranën tjetër në gjysmëfinale, basketbollistet bardheblu triumfuan edhe ndaj Flamurtarit në finale, që gaboi pikërisht atëherë kur nuk duhej.