MENU
klinika

Itinerari dhe formacioni i mundshëm

Revolucion me të rinjtë, Kombëtarja po ndryshon

08.10.2020 - 17:07

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edy Reja, deklaroi se Shqipëria po projektohet për “Euro 2024”. E teksa Europiani i radhës shihet si synim parësor, trajneri i përfaqësueses prej kohësh po afron elementë të rinj në ekip.

Kombëtarja në këtë grumbullim, me lojtarët që janë të pranishëm, ka një moshë mesatare në vetëm 24 vjeç. Nëse bëhet një ndarje mes reparteve, shihet që porta mban aktualisht më “të vjetrit”, nga prania e Alban Hoxhës dhe Etrit Berishës, ndërkohë që reparti më i ri është ai i sulmit.

PORTA – Së fundmi, porta është bërë reparti më i mbipopulluar. Me mbërritjen e Berishës, nën urdhrat e Bozhiqit kanë qenë edhe Alban Hoxha, Gentjan Selmani dhe Marko Molla. Portieri i Lazios, Thomas Strakosha, është lënë pushim dhe po ndiqet me kujdes nga stafi mjekësor. Këta të pestë kanë moshën mesatare 25.6 vjeç.

MBROJTJA – Ramen Çepele, vetëm 17 vjeç, është më i riu dhe për të thënë që më të vjetrit janë Dermaku, Trashi e Memolla me nga 28 vjeç, atëherë kuptohet qartë që bëhet fjalë për një repart shumë të ri në moshë, teksa mesatarja e tyre është 24.1.

MESFUSHA – Është një nga repartet ku shumë prej lojtarëve të tij mund të quheshin lehtësisht sulmues, siç janë Çekiçi dhe Seferi. Megjithatë, në këtë listë, me mungesën e Gjasulës, Selahit dhe Ramadanit, mosha mesatare është 24.8, ku Abrashi 30-vjeçar është më i vjetri.

SULMI – Reparti më i ri i Kombëtares, i cili do të duhet të udhëheqë ekipin drejt rezultateve pozitive. Taulant Seferi e Rey Manaj janë më të mëdhenjtë, me nga vetëm 23 vite. Në total, këta lojtarë në grumbullim formojnë grup të rinuar me moshë mesatare vetëm 24 vite.

TRANSFERTAT E LARGËTA – Shqipëria do të luajë jashtë për dy sfidat e radhës në Ligën e Kombeve. E para do të jetë ndeshja në Kazakistan, më 11 tetor, dhe e dyta më 14 tetor në Lituani.

Kuqezinjtë kishin zgjedhur Armeninë si një destinacion të ndërmjetëm për t’u stërvitur dhe për të qëndruar përpara se të fluturonin drejt Kazakistanit, por situata e luftës e anuloi axhendën. Tanimë, kuqezinjtë më datë 9 tetor do të lënë Tiranën për të fluturuar me çarter drejt Almaty.

Një distancë rreth 4718 kilometra e cila do të duhet të përshkohet për rreth 6.5 orë me një ndalesë. Ky udhëtim bëhet dy ditë para ndeshjes, pikërisht për lodhjen që u shkakton lojtarëve.

Një ditë para, ekipi bën stërvitjen zyrtare dhe më 11 është gati për të zbritur në fushë. Fluturimi tjetër, nga Almaty për në Vilnus të Lituanisë, do të jetë gjithash i gjatë me rreth 4852 kilometra dhe fluturim që pritet të përshkohet për 5 orë pa ndalesë.

FORMACIONI I MUNDSHËM – Me ardhjen e Berishës, për momentin ai pritet që të jetë titullar si dhe kapiteni i skuadrës. Përpara tij, Kumbulla, Gjimshiti dhe Mihaj janë testuar, duke qenë se Dermaku nuk ka qenë në formë maksimale. Alternativë është edhe Frederik Veseli në vend të Mihajt.

Përpara tyre, Keidi Bare pritet që të ketë dyshen Çekiçi dhe Abrashi, por është testuar dhe provuar edhe Qazim Laçi. Nga krahët, mungesa e Uzunit ka bërë që trajneri të testojë në të djathtë Taulant Seferin dhe Albi Dokën.

Në të majtë, Lenjani duket futbollisti i përzgjedhur dhe më i përshtatshëm për linjën e majtë, ndërsa Trashi e Memolla janë gjithashtu në gatishmëri. Në sulm, Rey Manaj dhe Armando Broja janë dyshja më e mundshme që pritet për sfidën e parë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Mendojmë vetëm ndeshjen e radhës”

Kumbulla modest: Nuk jam unë lideri i Kombëtares