MENU
klinika

Pasqyrim i ndërsjellë

Ekipi gjerman i futbollit dhe ekonomia e vendit

21.06.2018 - 11:28

Diferenca në treguesit makroekonomikë të Gjermanisë perëndimore e lindore reflektohet edhe në skuadrën kombëtare të saj.

Gjermania mund të konsiderohet një central elektrik në futboll. Megjithatë, vetëm një anëtar i ekipit kombëtar, që konkurron në Kupën e Botës 2018, mesfushori Toni Kroos, vjen nga Gjermania Lindore.

Për një periudhë prej më se 40-vjeçare në shekullin e 20-të, Gjermania ndahej në dy vende krejtësisht të ndryshme, në atë të Lindjes dhe të Perëndimit. Por kanë kaluar pothuajse 30 vjet që prej ribashkimit dhe mund të mendohet se shumica e pabarazive rajonale do të ishin zvogëluar.

Por pse sot futbolli gjerman është kaq i dominuar nga lojtarët dhe klubet që vijnë nga pjesa perëndimore? Dhe çfarë do të thotë kjo mungesë ekuilibri mbi gjendjen e këtij shteti të ribashkuar?

Futbolli kapitalist kundrejt atij komunist

Gjatë Luftës së Ftohtë, qysh nga fundi i viteve 1940 deri në tetor 1990, Gjermania Perëndimore kapitaliste ishte aleate me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Gjermania Lindore komuniste me Bashkimin Sovjetik.

Pas humbjes së Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore, fuqitë fitimtare i shkatërruan të gjitha organizatat sportive në vend.

Disa vjet më vonë, qeveria e Gjermanisë së Lindjes e rifuti futbollin amator në formën e një programi të edukimit fizik në vendin e punës, në kooperativat e mëdha shtetërore që u shfaqën pas shtetëzimit të ekonomisë.

Ndërkohë, në fillim të viteve 1960, në Gjermaninë Perëndimore u themelua Bundesliga si një kampionat profesional futbolli.

Ndryshe nga homologet e tyre perëndimore, që vepronin si ndërmarrje tregtare, klubet e Gjermanisë Lindore ishin organizata rreptësisht të kontrolluara dhe të drejtuara nga shteti socialist. Qeveria e Gjermanisë Lindore investoi në sporte, por i dha më tepër përparësi atletëve olimpikë të vendit, jo klubeve të futbollit.

Disa klube futbolli të Gjermanisë së Lindjes, të tilla si 1. FC Magdeburg, arritën sukses të konsiderueshëm në garat ndërkombëtare. Momenti më i madh kombëtar i futbollit në vend ishte goli i fitores së Jürgen Sparwasser kundër Gjermanisë Perëndimore gjatë Kupës së Botës në vitin 1974, mbajtur në Gjermaninë Perëndimore. Shumica e gjermanëve lindorë mbi moshën 50 vjeç mund t’ju rrëfejë saktësisht se ku ishin kur e panë këtë gol historik, pasi është një moment që ka shënjuar fort kujtesën e tyre.

Jürgen Sparwasser i Gjermanisë Lindore bën gjuajten fituese në ndeshjen kundër Gjermanisë Perëndimore gjatë Kupës së Botës 1974. Ndiqeni në videon më poshtë:

Për të konkurruar me klubet ndërkombëtare nga Evropa Perëndimore kapitaliste, që ishin në gjendje të blinin lojtarë nga e gjithë bota, klubet e Gjermanisë Lindore investuan në gjetjen e talenteve lokale dhe në ngritjen e akademive rinore, të cilat identifikuan dhe kultivuan talentin vendas. Shumë nga këta lojtarë arritën pjekurinë sportive njëkohësisht me ribashkimin e vendit.

Një periudhë e shkurtër bashkimi

Në verën e vitit 1990, nëntë muaj pas rënies së Murit të Berlinit, ekipi kombëtar gjerman – i përbërë tërësisht nga gjermanë perëndimorë – fitoi Kupën e Botës në Itali. Duke qenë se shoqatat e veçuara të futbollit të Perëndimit dhe Lindjes nuk ishin bashkuar ende në një trupë qeverisëse të unifikuar, gjatë turneut nuk shihej asnjë lojtar i Gjermanisë Lindore në fushë.

Pas kësaj ndeshjeje, trajneri Franz Beckenbauer parashikoi me krenari se fluksi i ardhshëm i lojtarëve nga pjesa lindore e lumit Elbe do ta bënte ekipin e bashkuar gjerman të pathyeshëm për vite me radhë.

A kishte të drejtë Beckenbauer? Ja dhe nein (Po dhe jo).

Ekipi i bashkuar kombëtar i futbollit gjerman sigurisht që nuk u bë i pathyeshëm përgjatë viteve 1990.

Megjithatë, lojtarët e Gjermanisë Lindore u bashkuan me kolegët e tyre të Gjermanisë Perëndimore në ekipin kombëtar të futbollit. Në fakt, vetëm nëntë nga 20 futbollistë të skuadrës së Kupës së Botës të vitit 2002 vinin nga Gjermania Perëndimore.

Lojtarët e Gjermanisë Lindore që luajtën në ekipin e bashkuar kombëtar gjerman në dy dekadat pas ribashkimit kishin lindur midis viteve 1960 dhe 1970. Të gjithë ata ishin zbuluar dhe trajnuar nga programet e zhvillimit të të rinjve të drejtuara nga Gjermania Lindore.

Rënia e futbollit të Gjermanisë Lindore

Çfarë ndodhi? Pse – me përjashtim të Kroos – nuk ka asnjë lojtar tjetër në skuadrën kombëtare gjermane nga pjesa lindore e vendit?

Përgjigjen na e jep analiza ekonomike.

Pas rënies së Murit të Berlinit, lojtarët më të mirë të Lindjes menjëherë u larguan për t’u bashkuar me klubet në Perëndim, nga ku mund të përftonin paga më të larta. Ndërkohë, si ekonomitë e vendeve të tjera ish-sovjetike që kalonin nga komunizmi në kapitalizëm, riorganizimi i shpejtë i ekonomisë së Gjermanisë Lindore çoi në shkatërrimin e shumë industrive.

Gati 30 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, ndarjet mes Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore janë ende të dukshme.

Klubet e Gjermanisë Lindore e ndjenë dhimbjen. Asnjë klub nga Lindja nuk arriti të krijojë një prani të përhershme në Bundesligë, ligën më të lartë profesionale të Gjermanisë. Duke mos marrë më financime qeveritare – dhe në pamundësi për të gjeneruar para nga marrëveshjet televizive dhe sponsorizimet e korporatave ashtu si homologët e tyre perëndimorë – klubet nga Lindja u detyruan të pakësonin në mënyrë radikale akademitë e tyre rinore.

Toni Kroos, natyrisht, bën përjashtim, por ai u detyrohet pak klubeve të futbollit të Gjermanisë Lindore.

Për më tepër, babai i tij, Roland Kroos, ishte trajner futbolli. Roland jo vetëm që identifikoi potencialin atletik të djalit të tij, por ishte gjithashtu në gjendje të zhvillonte aftësitë e Tonit. Kur Toni ishte adoleshent, babai i tij e vendosi në akademinë e të rinjve të një prej perandorive më të suksesshme të futbollit në Evropë, Bayern Munich. Në Gjermaninë perëndimore, Toni – i ashtuquajtur nga babai i tij si “projekt familjar” – arriti pjekurinë si lojtar, përpara se të transferohej te Real Madrid, skuadër në të cilën luan përveç ekipit kombëtar gjerman.

Në ditët e sotme, dominimi i pjesës perëndimore në futbollin gjerman simbolizon ndarjet ekonomike të vendit.

Në tabelën e mëposhtme, prestigjozja The Economist paraqet një ballafaqim të treguesve kryesorë makroekonomikë të pjesës perëndimore dhe asaj lindore të Gjermanisë, prej bashkimit deri në ditët e sotme.

Rritja në PPB-në për frymë shihet shumë më e lartë në Gjermaninë perëndimore se në atë lindore. Indeksi i kënaqësisë së jetës ka diferencë të ulët, edhe pse pjesa perëndimore shënon vlerë më të lartë. Vërehet një ndryshim i konsiderueshëm në pajisjen me ngrohje qendrore në banesat private në Gjermaninë lindore pas ribashkimit, edhe pse pjesa perëndimore është pak më në avantazh. Norma e papunësisë shihet të jetë thuajse dyfish më e lartë në Gjermaninë lindore se ajo perëndimore. Kostoja për njësi e punës shihet të ketë pësuar një rënie drastike prej vitit ’91 e këtej, duke u stabilizuar në vitet 2005-9, e duke vijuar në trend rritës pas vitit 2010.

Ashtu si në shumë sektorë të tjerë, futbolli i Gjermanisë Perëndimore ka patur avantazh pas bashkimit. Çekuilibri gjeografik në futbollin gjerman është simbol i pabarazive ekonomike të papranuara midis Lindjes dhe Perëndimit, që vazhdojnë deri në ditët e sotme.

Burimi:

World Economic Forum