MENU
klinika

Ndotja buzë detit

Të pushosh mes mbeturinave të Kepit të Rodonit

11.06.2018 - 15:38

Deri para pak kohësh ka qenë një vend i pavizituar, për shkak edhe të fortifikimit ushtarak në kohën e regjimit diktatorial, por tashmë plazhi i Kepit të Rodonit është shëndrruar në një destinacion turistik të frekuentuar paçka se është fundi i skajshëm i vijës bregdetare të Gjirit të Lalzit si dhe skaji më verior i Gjirit të Durrësit, afro 24 km larg rrugës kombëtare Tiranë-Durrës.

Kepin e kisha vizituar dy vite më parë dhe më kishte pëlqyer peisazhi piktoresk që ndërthuret bukur me historinë, falë kishës se Shën Ndout, një ndërtesë që i takon arkitekturës romaniko-gotike e shek. XIII-të si dhe rrënojave të kalasë së Skëndërbeut, ato çka koha ka treguar mirësinë të na i ruaj sepse askush nuk është kujdesur për to.

Mungesën e kujdesit mund ta dallosh tashmë edhe përgjatë vijës bregdetare të këtij plazhi dikur të virgjër. Prania e dendur e pushuesve në disa rreshta shezllonësh dhe me një bar të improvizuar në një nga tunelet e nëndheshme të ndërtuara nga regjimi komunist të linin shijen e fillimit të shkatërrimit të këtij plazhi. Nëse sistemimi i zonës dhe hapja e bizneseve sjell zhvillim, në Shqipëri këto interpretohen si shenjat e fundit te pastërtisë dhe bukurisë që mund të fal natyra.

Në hyrje të plazhit spikaste një tabele e madhe ku shkruhej: “ZONA E PLAZHIT I PËRKET PRONAVE TË PROVINCËS FRANÇESKANE ZOJA NUNCIATË NË KEPIN E RODONIT”. Më poshtë mund dalloje një seri rregullash që duhet të shërbenin për të ruajtur mjedisin e një prone private sikurse ndalimi i peshkimit, i kampingut, ndezja e zjarrit, si dhe saktëson se çdo çadër është me pagesë, qoftë edhe çadër private.

Përgjatë vijës së ngushtë bregdetare e cilësuar si pronë private mund të dalloheshe me sy tufa të dendur leshterikësh të pambledhur, mbeturina madje edhe të rrezikshme si copëza xhami, shishe të thyera, ndërsa koshat ishin mbushur plot që në ora 10 të mëngjesit, duke të krijuar idenë se aty nuk ishin pastruar, që nga dita e mëparshme, pasi plazhi ishte frekuentuar nga pak pushues në atë orë.

Në skajin më të dalë të gjirit, ku prej kohësh kanë qenë vendosur disa blloqe betoni në një mol të improvizuar, mund të vëreje një grumbull njerëzish, të mbledhur ngushtë me njeri-tjetrin e të përqëndruar në peshkim. Mesa duket tabela e madhe në hyrje të plazhit nuk i kishte shqetësuar aspak. Disa metra më tutje nën hijen e një tuneli në shpatin e malit disa të rinj kishin ndezur zjarrin e po piqnin mish, një barbekju perfekte mbase për ata, por shtëllungat e tymit nuk ishin dhe aq të pëlqyeshme për pjesën tjetër të vizitorëve.

Administratori i kësaj vije bregdetare, na u prezantua si Saimiri. Ai ishte tagrambledhësi që kujdesej që asnjë çadër mos shpëtonte pa paguar, qoftë nëse pushuesit ishin me çadër personale ose me çadrën e pronarit. Saimiri tregohej i kujdesshëm që t’i jepte edhe kuponin tatimor atyre që e kërkonin, paçka se pakënaqësitë mes pushuesve nuk fshiheshin në të tilla raste. Mesa duket papastërtia dhe kujdesi për të respektuar rregullat e tjera të shkruara në hyrje nuk ishte kompetencë e tij.

Nëse zgjidhje të kaloje mes shkëmbinjsh në zgavrat e gërryera nga deti, mund të shikoje sesi ishin mbushur me mbeturina të dekompozuara prej vitesh. Janë mbetje plastike, hedhurina të cilat rrymat i sjellin nga Durrësit dhe dekompozohen në rrëzë të malit. Para disa vitesh një grup të rinjsh krijuan një nisëm “Rojet e Kepit të Rodonit” të cilët kishin për qëllim heqjen e papastërtive çdo prag vere dhe fillim vjeshte, por duket se kjo nisëm nuk mjafton sa kohë që rezultati është ky që shihni dhe në foto.

Lënia në këtë gjendje e nje prone private, e cila ngjan si një “mall pa zot” sa kohë që kujdesi tregohet vetëm në lëvrimin e të ardhurave për shfrytëzimin e detit, rrezikon që t’i zbeh shkëlqimin Kepit të Rodonit. Miti që çdo gjë që e prekim vetëm e shkatërrojmë duhet të rrëzohet dhe gjithësecili prej nesh, nga autoritetet e deri tek frekuentuesit e këtij plazhi duhet të kthehen në gardianë të tij të këtij vendpushimi që Perëndia na e ka falur në brigjet tona, ne na duhet vetëm të kujdesemi…