MENU
klinika

Ai dhe piktura

I rrethuar nga arti i tij

28.07.2018 - 18:50

Artisti nuk mund dot të dalë jashtë artit. Edhe mënyra sesi shikon nuk ngjet me njerëzit e zakonshëm. Artistët janë njerëz me shpirt të jashtzakonshëm, por me trup me paraqitje më shumë se të zakonshme. E zakoshmja e staturës së tij është spontane, lutëse.

Sa më shumë i ikën mosha, aq më njerëzor bëhet mjeshtri Ruzhdi Goskova me gjithçka. I rritur me kulturën e e jashtzakonshme të Korçës ai është më i zakonshmi në butësinë e tij përkundrejt njeriut.

Në moshën 76 vjeçare punon pareshtuar. Në art njeriu do të jetë i vetmuar, i tëri pas vetes dhe ndjenjës. Me një përparëse blu të ndezur, ku pikëlat e bojrave shpallin ekspresivitet, po aq sa fytyra, ai është i rrethuar me vetveten dhe veprën e tij.

Mëngët i ka të përveshura gati për një telajo më shumë, sytë shprehin kthjelltësi, porsi mendimet që hedh në pikturë. Nuk bën dallim dita e festës nga dita e zakonshme, për të është gjithmonë arti që kryeson. Mikpritës dhe i dashur mjeshtri i pikturës godet në ndjenjat e të tjerëve. Për të natyra është gjithçka.

Ruzhdi Goskova është nderuar me medaljen ‘Naim Frashëri’ për nivel të lartë artistik, nga ish Kuvendi Popullor. Këshilli bashkiak i Korçës, e ka vlerësuar me titullin ’Emblema e artë e qytetit’. Ceremoninë e dorëzimit të këtij çmimi e ka nderuar në mënyrë të veçantë pjesëmarrja e Zv.Kryeministrit të Shqiperisë Niko Peleshi,si edhe familjarë dhe personalitete të qytetit të Korçës, artistë dhe miq, dashamirës. Edhe nga Këshilli i Qarkut i është akorduar titulli ‘Nderi i Qarkut Korçë’

Përjetimi i jetës së tij e afron më shumë me penelin ku ka dhënë shumëçka për artin. I ndjeshëm edhe me krijesat e papërfillshme natyrore, si dhe me rrezet e diellit. Në pamje të parë duket burrë i zakonshëm, i dashur, ekspresiv me trup dhe mimikë. Gjithmonë e jashtzakonshmja luan në hije-dritë me të zakonshmen, ajo sikur fle nën të.

Njeri jo vetëm i talentuar po i papërtuar, i dashur për komunitetin, afron një panoramë pikturash që të tërheqin dhe të çlodhin. I butë si fëmijë me natyrën, gjë që e shpreh dhe në fytyrë, ai mendon se fati e lidhi pashmangërisht me pikturën. Ka ndjerë keqardhje dhe trishtim për skandalin e vjedhjes së pikturave të Vangjush Mihos. Për të ai ka qënë mësues i denjë dhe admirues i tij.

Në retrospektivë Ruxhdiu i vogël iu nënshtrua konkursit të parë rreth vitit 1953. Nxënës i Vangjush Mihos, por edhe i Janaq Paços, Kel Kodhelit, Abdurrahim Buzës, Kristina Oshit, Guri Madhit e Profesor Papadhimitrit, Sadik Kacelit. Historia e tij shkollore tejshkohet për nga Liceu Artistik në Tiranë dhe e ndjen veten me privilegj që ka qënë nxënës i artistëve të mëdhenj

ruzhdi peleshi

Kur mbaroi Liceun Artistik në vitin 1962 e caktuan mësues vizatimi në Bilisht. Pastaj në Maliq dhe pasi kreu ushtrinë e punësuan në byronë e modeleve te Ndërmarja Artistike. Në vitin 1983 e kaluan përfundimisht në arsim duke i lënë kohë në krijimtarinë e tij.

Krijimtari e jetës së tij ka një fond prej rreth 3000 punimesh. Ka çelur 16 ekspozita personale dhe kolektive. Punimet e tij kanë shkuar deri në SHBA, Gjermani etj. Nga peneli i tij kanë dale natyra të qeta peizazhe, portrete, kompozime.

Punuar në teknika të ndryshme si vaj, akuarel, pastel, tempera, laps e karbon. E preferuara e tij është Akuireli që e bën sikur është kompozitor i ndjenjës për jetën. Motivin e merr nga jeta e përgjithshme dhe nga Korça që e adhuron. Është i dashuruar pas gjithë formave artistike, pa artin ai nuk ka më asnjë kuptim. Dhe ai me të është i rrethuar.

Përgatiti E.Kllapi