Nga Noah Smith*
Kur je gabim, je gabim, pa marrë parasysh sa i njohur dhe i respektuar mund të jesh si shkencëtar. Albert Einstein e kishte gabim për mekanikën kuantike. Linus Pauling e kishte gabim për strukturën e ADN-së. Dhe Milton Friedman e kishte gabim për hipotezën e të ardhurave të qëndrueshme. Por ndryshe nga dy shembujt e parë, ku shkencëtarët e kuptuan shpejt që e kishin gabim, ekonomistët ende nuk e kanë pranuar realitetin.
Teoria e Friedman thotë se konsumi i njerëzve nuk ndikohet nga sa ata fitojnë në baza ditore. Përkundrazi, ajo për të cilën ata shqetësohen është shuma e parave që presin të fitojnë gjatë gjithë jetës. Nëse ndodh një humbje e papritur dhe e përkohshme e të ardhurave – si për shembull, një periudhë papunësie, – ata marrin para hua për të përballuar mungesën.
Nëse ata përfitojnë ndihmë financiare, si p.sh. ndihmë ekonomike shtetërore, ata e lënë këtë shumë në bankë për “një ditë të keqe” në vend që ta shpenzojnë për të rritur konsumin. Nëse njerëzit mendojnë se aftësia e tyre për të gjeneruar të ardhura do ndryshojë, vetëm atëherë ata përgjigjen duke përshtatur shpenzimet që kryejnë.
Kjo ide ishte e rëndësishme, pasi nënkuptonte që nuk duhet të presim që stimuli fiskal të ketë ndikim shumë të madh. Ndihma ekonomike shtetërore është një formë e përkohshme të ardhurash; rrjedhimisht, teoria e Friedman parashikon se nuk do t’i ndryshojë modelet e shpenzimeve, siç beson edhe mbështetësi i saj, John Maynard Keynes.
Edhe tani, kur modelet ekonomike janë bërë shumë më komplekse se në kohën e Friedmanit, ekonomistët ende i referohen teorisë së tij si kriter mendimi – një intuitë thelbësore, e cila drejton mënyrën se si ata ndërtojnë modelet e tyre.
Profesori im i parë Makroekonomisë besonte në të thellësisht dhe instinktivisht, madje e trajtonte edhe në seminare.
Për fat të keq, intuita bazuar në teori të pasakta mund të na çojë në rrugë të gabuar. Ekonomistët e kanë ditur prej ca kohësh që kjo teori nuk përputhet me faktet. Kur njerëzit marrin një shumë parash, ata priren ta shpenzojnë një pjesë të saj menjëherë. Kështu, ekonomistët janë përpjekur të rregullojnë teorinë e Friedmanit duke përdorur disa korrigjime bindëse.
Njerëzit mund t’u binden ndryshimeve të përkohshme në të ardhura, pasi mund të mos jenë në gjendje të marrin hua – nëse doni të shpenzoni më shumë, por keni arritur maksimunin e shpenzimeve në kartat tuaja të kreditit, një ndihmë ekonomike shtetërore do ju shpëtonte nga tirania e bankës.
Shumë ekonomistë shohin kufizimet e kreditit si një mënyrë të thjeshtë, minimalisht ndërhyrëse, për të shpëtuar idenë bazë të Friedmanit.
Por ndërsa ekonomistët sigurojnë të dhëna gjithnjë e më të sakta, ata po zbulojnë se edhe ky modifikim nuk është i mjaftueshëm. Një studim i ri nga Peter Ganong dhe Pascal Noel tregon se sjellja e konsumatorit është më afatshkurtër se ç’parashikon pothuajse çdo model i zakonshëm.
Ganong dhe Noel panë të dhënat në llogaritë bankare të personave që marrin ndihmë ekonomike (të dhëna anonime, natyrisht). Ata shqyrtuan se si shpenzimet prireshin të ndryshonin kur nisnin përfitimet e papunësisë – zakonisht menjëherë pasi njerëzit humbisnin punën e tyre.
Ata, gjithashtu, panë se si ndryshonin shpenzimet kur përfitimet ndërpriteshin. Ky lloj i të dhënave në nivel individual ishte i padëgjuar në kohën e Friedmanit, dhe kjo tregon se si kompjuterizimi dhe empirizmi po revolucionalizojnë profesionin e ekonomistit.
Konstatimi i parë i autorëve nuk të habit shumë – kur njerëzit humbasin punën e tyre, ata fillojnë të shpenzojnë më pak. Kjo është në përputhje me modelin e kufizimit të kreditit, pasi shumë njerëz nuk mund të marrin hua mjaftueshëm sa për të ruajtur stilin e jetës që gëzonin kur kishin një punë.
Pas kësaj rënieje fillestare, studiuesit panë se shpenzimet vazhdonin të uleshin. As kjo nuk është e papritur.
Por misteri i vërtetë fillonte kur përfitimet prej papunësisë përfundonin. Kjo prodhonte një tjetër rënie të menjëhershme e të madhe në shpenzime – që është pothuajse dy herë më e madhe se rënia që ndodh kur njerëzit pushohen nga puna.
Rënia të ardhurave është shumë më e madhe se rënia e shpenzimeve, që do të thotë se njerëzit nuk janë duke jetuar plotësisht në kushtet e mbijetesës. Sidoqoftë, diferenca është shumë e madhe për t’u shpjeguar me një nga teoritë kryesore. Papunësia e lidhur me përfitimet nuk është një surprizë – njerëzit e dinë saktësisht se kur ndihma do t’u përfundojë. Dhe nëse çështja do qëndronte te kufizimet e huamarrjes, njerëzit do kishin kursyer më parë, duke e ditur që përfitimet e tyre do ishin drejt përfundimit.
Kështu, kjo sjellje është një mister i madh për teoritë kryesore. Kjo do të thotë se ka diçka më tepër se thjesht mosgatishmëri të bankave për të dhënë hua. Për disa arsye konsumatorët kanë sjellje afatshkurtra – kur paratë fillojnë duke u pakësuar, ata zvogëlojnë shpenzimet, edhe duke e ditur se do të gjejnë një punë të re në një të ardhme relativisht të afërt.
Kjo do të thotë se teoria e Fridmanit nuk ka nevojë vetëm për një apo dy arna- ajo ka nevojë për një rregullim tërësor.
Askush nuk e di ende se çka do të jetë, edhe pse disa ekonomistë kanë filluar të eksperimentojnë me modele të të menduarit afatshkurtër nga konsumatorët. Por, pavarësisht shpjegimit eventual, ka të ngjarë që besimi për dekada të tëra në idenë e Friedmanit ka bërë që ne të nënvlerësojmë fuqinë potenciale të stimulit fiskal dhe politikave të tjera që rritin të ardhurat afatshkurtra.
Edhe shkencëtarët më të mëdhenj mund të gabojnë. Madhësia e shkencës përcaktohet nga shpejtësia me të cilën ajo u bën ballë gabimeve që heronjtë e saj kryejnë.
*Stony Brook University, SHBA
Përshtati në shqip: G. Mimi