MENU
klinika

Shembull për vendet e tjera

Norvegjia, ekonomia më gjithëpërfshirëse në botë

23.07.2018 - 10:30

Norvegjia kryeson indeksin e vitit 2017 të ekonomive gjithëpërfshirëse (një studim i vendeve më të mira në sigurimin e rritjes së qëndrueshme për dekada), e cila shtrihet në sektorë të ndryshëm, krijon vende pune për shumicën të popullsisë dhe ul varfërinë.

Vendi i vogël skandinav me 5 milion njerëz i bën gjërat ndryshe. Norvegjia ka pabarazinë më të ulët të të ardhurave në botë, të ndihmuar nga një përzierje politikash që mbështesin arsimin dhe risitë. Ajo gjithashtu kanalizon fondin shtetëror të investimeve më të madh në botë, i cili manaxhon të ardhurat e saj nga nafta dhe gazi në planifikimin ekonomik afatgjatë.


Norvegjia ka arritur ta përkthejë rritjen ekonomike në standarde jetese të niveleve të larta dhe në përmirësim të vazhdueshëm, me një GDP për frymë prej 89741 dollarë, shumë më lart mesatares prej 44656 dollarë të 30 ekonomive të përparuara që mbulon raporti i World Economic Forum. Megjithëse kostoja e jetesës është gjithashtu e lartë në Norvegji, kur përshtatet me paritetin e fuqisë blerëse, ajo ende ka të ardhurat më të larta mesatare të ekonomive që përfshihen në raport, gjegjësisht 60.4 dollarë për person në ditë.

Si e arrin këtë?

Ashtu si vendet e tjera nordike dhe Zvicra, Norvegjia nuk ka një pagë minimale ligjore, por 70% e punëtorëve të saj mbulohen nga marrëveshjet kolektive që përcaktojnë dyshemetë e pagave. Për më tepër, 54% e punëtorëve të paguar janë anëtarë të sindikatave, krahasuar me 11% në Shtetet e Bashkuara dhe 25% në Mbretërinë e Bashkuar. Në përgjithësi, Norvegjia kryeson pjesën e punësimit të indeksit të WEF, si në aspektin e punësimit të arritshëm dhe të qëndrueshëm, ashtu edhe se sa mirë paguhen punëtorët.

Gjithëpërfshirja shkon përtej punësimit, për të marrë parasysh faktorë të tjerë kyçë, si arsimi, përpjekjet për të ngushtuar boshllëkun gjinor dhe intensitetin e karbonit në ekonominë e saj.

Në lidhje me arsimin, Norvegjia vjen në vendin e dytë në indeksin e WEF për cilësinë e shkollimit që ofron, ndërkohë që ajo gjithashtu kryeson Indeksin e Përfshirjes Sociale të PISA-s, në lidhje me larmishmërinë socio-ekonomike në shkollat ​​e saj.

Qeveria i ka dhënë prioritet arsimit si një mjet për të diversifikuar ekonominë e saj dhe për të nxitur rritje më të lartë dhe më gjithëpërfshirëse. Ajo promovon lëndët e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, së bashku me aftësitë profesionale dhe sipërmarrëse. Këtë vit, ajo ka nisur një kurs pesëvjeçar për mësuesit, me qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe ngritjen e statusit të profesionit.

Në sferën e biznesit, ajo drejton një program kërkimi për inovacione (BIA) që lejon kompanitë të aplikojnë për grante për kërkim dhe zhvillim (R & D) duke qenë se vlera krijohet jo vetëm për kompaninë, por edhe për shoqërinë. Në mënyrë të ngjashme, skema e nxitjes së taksave SkateFUNN R & D ofron kredi tatimore për të inkurajuar shpenzimet e kërkim-zhvillimit në kompanitë norvegjeze.

Norvegjia vazhdimisht renditet mirë në uljen e boshllëkut gjinor – qoftë në qasjen në arsim, pjesëmarrjen në fuqinë punëtore, apo të ardhurat. Raporti i grave ndaj burrave në tregun e punës është 0.95, ndërsa raporti i të ardhurave të fituara nga femrat ndaj meshkujve është 0.79. Norvegjia renditet e katërta nga 30 ekonomi të përparuara në të dy këta tregues. Në vitin 2003, Norvegjia vendosi një kuotë gjinore që detyronte kompanitë që të siguronin që të paktën 40% e anëtarëve të bordit ishin gra.

Politikat që mbështesin prindërimin janë çelësi për uljen e boshllëkut gjinor dhe mbështetjen e rritjes gjithëpërfshirëse.

Norvegjia ofron arsim dhe kujdes të hershëm për fëmijët nga zero deri në pesë vjeç, ndërsa prindërit kanë të drejtë ligjore t’i vendosin fëmijët e tyre në çerdhe nga mosha njëvjeçare. Shteti norvegjez subvencionon fuqimisht kujdesin për fëmijët, duke mbuluar taksat dhe duke përdorur analizën e të ardhurave, në mënyrë që vendet të jenë të përballueshme, edhe pse disa prindër raportojnë vështirësi në gjetjen e një vendi të lirë. Kopshtet fokusohen në shtatë fusha të të mësuarit, duke përfshirë gjuhën, numrat, kreativitetin, natyrën dhe etikën.

Që nga viti 2013, Norvegjia ka siguruar 49 javë pushim prindëror me pagesë të plotë (ose 59 javë me 80% të të ardhurave). Përveç kësaj, nënat dhe baballarët duhet të marrin të paktën 14 javë leje pas lindjes së secilit fëmijë.

Në frontin mjedisor, megjithëse Norvegjia ka përfituar historikisht nga shitja e rezervave të lëndëve djegëse fosile, rreth 98% e prodhimit të saj të energjisë aktualisht vjen nga burime të rinovueshme, kryesisht nga hidrocentralet. Politika të tjera përfshijnë mbështetjen për automjetet elektrike, që do të thotë se gjysma e të gjitha makinave të reja të blera në Norvegji janë elektrike ose hibride.

Në përgjithësi, Norvegjia ka identifikuar dobësitë ndaj të cilave ekonomia e saj është e ekspozuar – të tilla si goditjet e çmimeve të naftës – dhe ka shfrytëzuar forcat e saj natyrore për të ofruar rritje ekonomike gjithëpërfshirëse, punësim dhe standarde të larta jetese nëpërmjet politikave afatgjata.

Norvegjia shërben si një shembull i shkëlqyer për politikë-bërësit nga pjesë të tjera të botës (së pari Shqipërinë), për mësimet e vyera që ofron.

Burimi: World Economic Forum