MENU
klinika

500 milion euro

Qeveria shqiptare në tregun evropian dhe amerikan të borxhit

04.07.2018 - 14:23

500 milionë euro është shuma që qeveria shqiptare do të hedhë në tregun evropian dhe amerikan të obligacioneve, prej ku synon thithjen e investitorëve me peshë.

Në dokumentet e zbardhura, qeveria konfirmon edhe parablerjen me tender të eurobondit ekzistues, të emetuar në vitet 2010 dhe 2015.

Së fundi, qeveria ka hapur procedurat për gjetjen e një firme ligjore të specializuar në dhënien e këshillimeve ligjore për emetimin e eurobondit. Firma që do të shërbejë si këshilltar ligjor duhet të ketë ekspertizë në ligjin anglez, çka mund të kuptojë se emetimi do të përqendrohet në bursat e Britanisë së Madhe.

Shërbimi i konsulencës ligjore do të zgjasë deri më 31 Dhjetor 2019 dhe pritet të kushtojë rreth 258 mijë euro. Ekipi këshillues në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në listimin e bondit do të përbëhet nga 5 ekspertë ligjorë dhe ekonomikë me përvoojë në procese të emetimit të borxheve sovrane.

Konsulenti i huaj do të asistojë në strukturimin e ofertës, përcaktimin e afateve ligjore, përgatitjen e dokumentacionit, negociatat me bankat e deri në hedhjen e bondeve në treg dhe dhe përfundimit të procesit.

Emetimi i një eurobondi ishte lajmëruar që në projektbuxhetin e këtij viti dhe do të shërbejë për të shmangur kufizimet që burojnë nga kapaciteti i limituar i tregut të brendshëm, si dhe për të shërbyer detyrimet e borxhit në valutë, të cilat gjatë këtij viti janë rreth 20% më të larta se në 2017-n.

Emetimi i këtij eurobondi të ri parashikohet të kryhet gjatë muajit tetor të këtij viti, megjithëse kohëzgjatja e kontratës me konsulentin dhe synimi për listimin në disa tregje mund të nënkuptojë zgjatjen e këtij procesi.

Burimi: Scan TV