Nga Eugent Kllapi
Qyteti ia ka marrë anën malit. Shtrirë nga rrëza e lumit të Drinos që nuk u pastrua njëherë e mirë e deri në rrëzë të Malit të Gjerë. Duket si një përrallë mesjetare e vendosur bukur në gur.
Gjirokastra po bie si Ura e Oshtevës. Urët bashkojnë qytetërime, Gjirokastra po ndan rininë nga pleqtë me një hap vigan.
Në qoftë se do e konsideronim si një gur të çmuar do të ishte Smeraldi i Jugut, perle e ka pak të quhet. Smeraldi po ta shohësh hollë-hollë të verbon me bukuri, por guri çuditërisht krijon krisje, çarje e përsëri qëndron i fortë.
Edhe Gjirokastra gojë ka plot që flasin e qëndron porsi gur me stoicizmin e saj. Nuk shuhet nga gojët, po nga mjerimi.
Njerëzit në luftë me njëri-tjetrin për të qënë më të arrirë kanë ngritur gur mbi gur deri në kështjellë një qytet që dikur ishte vend i njerëzve me soj e namuz. Guri verës i jep nxehtësi, dimrit ftohtësi, vizitorëve u jep magji në sytë e tyre. Atë qe e ka e gëzojnë qytetarët dhe turistët që mahniten me shtëpitë e vjetra stil oriental.
Megjithatë nuk shikojnë krisjet e shtëpive që po bien, mundimet e njerëzve që zënë rrugët, plot të heshtur me fytyra të krisura porsi muret e tyre, por vetëm shtëpitë e restauruara bukur me hijeshi nga bashkia dhe organizmat kombëtare. Lakmia e qytetit është kalaja me nam.
Tragjekomedia e paradoksi e Gjirokastrës është se njerëzit janë shumë të zgjuar, varfëria shtohet edhe më.
Çuditërisht, gjirokastritëve nuk u ngjitej qimja kur dilnin xhiro serbes rrugicave të ngushta dikur, por kohët treguan që Drinoja, lumi i vetëm poshtë qytetit mbjell mal me mbetje inerte gjithfarëshe. Për mos t’ia vënë fajin të gjithë Drinos, po ua hedhim edhe pak gjirokastritëve. Dikur dhe kalaja kishte mbetje gjithfarëshe si Drinoja nëpër rrugica, dhomëza a mure.
Rrugët duken të shtruara, por jo si Ura e Oshtevës, e cila edhe pse u lajmërua ra me nder e lavdi në lumin e Zagories. Zagoritët emigruan e ura nuk duroi dot më, u shemb ‘’si qelqia në verë’’. Kjo nuk vlen asgjë për mirëmbajtjen.
Në qoftë se do të bindesh që njeriu dallohet si trajton natyrën dhe kafshën mund të shkosh në Kakavijë. Nga ana e Gjirokastrës duket sikur kthehesh në 1990 ku forma embrionale të çudishme kioskash, lokalesh lulëzonin ngado. Nuk ka WC për udhëtarët, përveçse nëpër lokale. Të tjerët lëshohen rrëpirave të përroit aty afër.
Nuk të sheh syri një drizë, rrugë e pluhurosur, rradhët e gjata, pluhur ngrihet gjithandej, njerëz si të zhgërryer me kohën, të vuajtur në sy dhe moderne në veshje. E kundërta ndodh nga ana e doganës greke, asfalti qërohet, drizat shekullore, bari lulëzon, për hallexhinjtë ka disa WC. Megjithatë anës rrugës shikon mbetje gjithfarëshe që të kujton se nuk je larg doganës shqiptare, më tutje nuk sheh më mbetje.
Gjirokastra derimë tani thonë familjet që largohen mbahej nga Lazarati. Lazarati ka pasur efekt çudibërës për Gjirokastrën. Nuk është pak që një drogë të mbajë një qark të tërë me para, por është e dhimbshme të varesh prej drogës, siç varej Ura e Oshtevës nga specialistët e ministrisë së Kulturës.
Thembra e Akilit të Gjirokastrës nuk është turizmi, ai sjell fitime të mëdha po i mbledh në pak duar. Artizanati tani për tani nuk mbijeton dot vetëm me turizmin që shpërndahet në duart e pushtetarëve të vendosur bukur në tryeza. Thembra e Akilit të Gjirokastrës janë fshatrat. Çuditërisht në mesjetën e vonë fshatrat kanë qënë si qytete, qyteti i Gjirokasktrës ka qënë si fshat para fshatrave.
Fshatrat kanë qënë të sistemuara e me ligjësi shoqërore, që nga rruga me kalldrëme që në shumicën e rasteve janë zhdukur tashmë, deri në organizmin e festave. Nuk ndodh me Gjirokastrën, nuk është njeri krenar as për dylymët e tokës, por njerëzit arratisen se janë emigranë në tokat e tyre, qytetarë të nderuar në tokat e të huajve.
Pleqtë po ikin si Ura e Oshtevës, ngelën duke bërtitur po s’i dëgjoi kush. Bashkë me ta po me drejtim të kundërt po ikin edhe të rinjtë.
Gjirokastra mbahet me bujqësi e sidomos me blektori, fshatrat janë burim i pashtershëm dhe kanë pasuri pafund.
Fukarallëku është Maskarrallëk, vret gjithmonë si në 1991, 1997, 2018, vret në çdo epokë, nuk ka dallime etnike, profesionale, gjinore, fetare, kombëtare, ai ngelet maskarallëk.
Pse nuk bëhet Gjirokastra vetëm me turizëm? Sepse njerëzit nuk mund dot të përshtaten vetëm turizmit për 28 vjet, ata kanë mendime, profesione, kualifikime, ide të ndryshme. Këto të ndryshme duhet të mos injoroheshin po të integroheshin për turizmin.
Ne shqiptarët jemi çudibërës, po qe e ndryshme është armiku jonë, po qe e njëjtë është shpresa jonë, në mos e vrasim të ndryshmen, është barbare, e huaj, larg nga ne.
Kështu u duket vetja dhe të rinjve që mbaronë shkollë profesionale, u duket vetja të injoruar. Ka nga ata që e shikojnë ndryshe me optimizëm, por kjo do kohë dhe mirëqënie. Në kushtet e një turizmi apo marketingu elitar, paria e qytetit duhet të mendojë si të shpërndajë të ardhurat e sjella në qytet te çdo zë dhe në çdo fushë.
Vetëm kështu mund të rigjenerohet Gjirokastra, nuk mund dot të mendosh sikur turizmi dhe shkollat profesionale do të shpëtojnë atë. Hiç e hiçmosgjë e diçka më shumë thuasje barazohet me hiç asgjë.
Pjesa që e vuan më shumë të ardhmen është rinia. Të gjithë flasin për rininë aty, por gabimisht harrohen njerëzit në nevojë, kujtohen vetëm kur ka shkitje dheu në ndonjë pallat.
Tragjekomedisht Gjirokastra mbart, dhe perfekten, dhe maskarallëkun, edhe Djallin, edhe Zotin, edhe talentin, edhe defiçentin. Edhe të mirin, edhe të keqin, edhe këngën e bukur, edhe vaji i atyre që nuk mbahen dot me asistencë sociale dhe nuk kanë lekë të blejnë bombula oksigjeni për të mbijetuar. Pakt, edhe me Djallin, edhe me Zotin.
Gjirokastritët janë aq të zgjuar sa të të shkojnë në gjilpërë, por aq të djallëzuar sa të vjedhin një shtet të tërë, këtu nuk bën dallim, në janë me tituj apo të thjeshtë, në janë të ardhur apo të vendit, në janë profesionalë apo amatorë, ata përgjojnë si dritaret e shtëpisë përkundrejt njëra-tjetrës në çdo mëhallë. Janë edhe të marrë, edhe gjenij, mendja e shtëpive të urta nxjerr të marrë, ‘’Sokaku i të Marrëve’’ nxjerr gjenij.
Gjirokastra është gur që po tretet ngadalë si shtëpitë që po rënohen, kjo nuk behët vetëm me turizëm e ndërgjegjësim, por me veprim. Ajo po bie hijerëndë si Ura e Oshtevës. Nuk e dëgjon njeri, s’e shikon, ajo është e censuruar. Dhe njerëzit aty ikin si të marrë e kthehen si gjenij!