Nëse Gjermania do të kishte fituar Luftën e Dytë Botërore dhe do të kishte vijuar të dominonte Europën, Lojërat Olimpike do të ishin zhvilluar vetëm në këtë vend.
Dhe kjo vetëm nga projekti që kishte Hitleri asokohe. Adolf Hitleri njihej për idetë e çmendura që ka pasur gjatë jetës së tij. Një nga ato ishte të organizonte Lojërat Olimpike në Gjermani…Përgjithmonë.
Sot duket një utopi, por në mesin e 30’ të shekullit të kaluar ishte një ide e pasqyruar edhe në projekte. Mynihu, Athina, Londra, Sidney, Rio de Janiero, por edhe Tokio në 2020-n nuk do të kishin provuar kënaqësinë e Olimpiadës nëse Hitleri nuk do të ishte mposhtur.
Për këtë eveniment madhështor, që organizohet tashmë njëherë në 4 vjet, Hitleri dhe njerëzit që i qëndruan afër, planifikuan të ndërtonin stadiumin më të madh në historinë e njerëzimit, me plot 400 mijë vende.
Stadiumi, që do të merrte emrin “Das Deutsche Stadion” (Stadiumi Gjerman), u planifikua të ndërtohej në Nurenberg, në jug të Gjermanisë. Ndërtimi i stadiumit filloi në shtator të vitit 1937 dhe pritej të përfundonte në vitin 1943.
Hitleri ishte inspiruar nga stadiumi “Panathenaic” i Athinës, të cilin e pa nga afër në vitin 1935. Modeli i stadiumit të kujton një patkua kali. Ndërtesa do të kishte qenë gjigante.
Kapaciteti ekzakt do të ishte 405,000 vende. Dhe lartësia e ndërtesës do të shkonte deri në 90 metra. Punimet u ndërprenë kur Gjermania sulmoi Rusinë. Hitleri jo vetëm që nuk kishte kohë të merrej më këtë projekt, por të gjithë punëtorët kaluan në front.
Pas humbjes së Luftës së Dytë Botërore, ndërtimet nuk vijuan. Pavarësisht se projekti ishte vërtet fantastik, thjesht që ishte idea e Hitlerit dhe për të mos lartësuar figurën e tij, as që e mori kush me projektin e stadiumit.
HISTORIA E JESSE OWENS DHE HITLERI
Më 3 gusht 1936 Jesse Owens fitoi medaljen e artë në 100 metra gjatë ditës së dytë të Olimpiadës së Berlinit. Në kohën kur ishte 23 vjeç, djali i një fermeri të një familje me ngjyrë nga jugu i Shteteve të Bashkuara dhe kishte nëntë vëllezër.
Sipas legjendës, pas fitores së tij, Adolf Hitleri braktisi stadiumin i zemëruar, pa e tundur dorën. Owens fitoi tri medalje të arta gjatë ndeshjeve, duke turpëruar nazistët dhe idetë e tyre mbi epërsinë e racës ariane. Në realitet, gjërat shkuan ndryshe.
Historia e Olimpiadës së Berlinit
Olimpiada e Berlinit 1936 u organizua si një festë e madhe e regjimit nazist. Miliarda marka të epokës u shpenzuan për të krijuar ose rinovuar stadiumet dhe pallatet dhe për të ngritur koreografi kolosale që do të shfaqin fuqinë e Gjermanisë naziste.
Gjithashtu, në përgatitjen e atletëve u vu shumë kujdes. Suksesi sportiv në Olimpiadë do të shërbente si propagandë për të konfirmuar tezat naziste mbi epërsinë e racës ariane.
Shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara kishin bërë thirrje për një bojkot të Olimpiadës naziste. Në atë kohë, regjimi i Hitlerit ishte provuar tashmë si një diktaturë jolibere dhe antisemite.
Bojkoti ishte i pasuksesshëm, por shumë gazeta ndërkombëtare ishin mjaft kritike me Hitlerin dhe regjimin e tij dhe ata shkruan shumë për arritjet e atletëve afrikano-amerikanë të ekipit amerikan.
Ndër të gjithë, nga dhjetë atletë me ngjyrë të ekipit amerikan, më i miri ishte Jesse Owens, që më 3 gusht fitoi medaljen e artë në njëqind metra, 4 gusht në kërcim të gjatë dhe 5 gusht në 200 metra. Më në fund, më 9 gusht ai fitoi medaljen e katërt të artë në reletë 4 × 100 metra.
Ishte një garë në të cilën Owens nuk ishte regjistruar madje, por mori pjesë pasi ekipi amerikan vendosi të mos përfshinte dy atletë hebrenj për shkak të presionit nga nazistët.
Reagimi i Hitlerit
Hitleri nuk ishte vërtet aq i mërzitur nga fitoret e amerikanëve me ngjyrë. Albert Speer, i cili ishte arkitekti më i famshëm në Gjermani dhe ishte shumë i afërt me partinë naziste (do të bëhej ministër i Armëve, gjatë Luftës së Dytë Botërore), ka shkruar në kujtimet e tij se Hitleri hodhi poshtë çështjen, duke thënë se njerëzit me ngjyrë kishin një staturë më të fortë fizike dhe më të përshtatur për racën.
Në të vërtetë, në ditën e parë të Olimpiadës, Hitleri nuk i shtrëngoi duart me një atlet me ngjyrë, por në përgjithësi ai nuk uroi ndonjë atletët e tjerë që nuk ishin gjermanë.
Komiteti Olimpik këshilloi Hitlerin që kjo sjellje nuk lejohej: kombi pritës dhe udhëheqësit e saj duhej të mbeteshin neutralë. Pra, ose Hitleri të shtrëngonte duart me të gjithë atletët, ose me asnjërin.
Kur Owens fitoi garën në 100 metra në ditën e dytë, Hitleri tashmë kishte marrë vendimin që të mos shtrëngonte duart me asnjë atlet. Owens kujtoi në intervista të ndryshme në gazetat e kohës që menjëherë pas fitores dhe para ceremonisë së dhënies së çmimit, Hitleri e përshëndeti me dorën e tij dhe ai iu përgjigj përshëndetjes.
Hitleri u largua gjithsesi nga stadiumi përpara fillimit të ceremonisë së çmimeve. Gjermania fitoi 89 medalje, duke përfshirë 33 ari, duke mposhtur Shtetet e Bashkuara, të cilat fituan në 56, dhe Italinë, e cila fitoi 22.