MENU
klinika

Solidariteti me Greqinë

Dhuroi pensionin për të ndihmuar grekët

01.08.2018 - 20:07

Shqiptarët kanë ngrënë për një kohë të gjatë me pensionin e akorduar nga shteti grek për ata që i cilësonte si minoritarë. Me shumën prej 300 eurosh, pensionistët shqiptarë të konsideruar apo edhe të vetë-identifikuar për pragmatizëm të pastër si vorio-epiriotë kanë përfituar një jetesë më të mirë. Por tashmë duket se kohët kanë ardhur që grekët të ndihmohen nga pensioni i shqiptarëve, edhe pse në këtë rast nuk janë shumë, por një i vetëm.

Ai nuk është një nga të pasurit e këtij vendi siç jemi mësuar t’i shohim rëndom në media teksa bëjnë vepra bamirësie për njerëzit në nevojë, por një pensionist i zakonshëm me zemër dhe besim të madh në Zot. Irfan Toska, pastor i Kishës “Ringjallja’ në Elbasan ka ndërmarrë një gjest fisnik më shumë sesa bamirës. Pensioni i tij modest ai ka vendosur që ta jap në ndihmë të njerëzve që humbën të afërmit në zjarret apokaliptike që pushtuan fundin e korrikut Greqinë.

Duke lënë mënjanë politikën apo çdo mobilizim tjetër për ndihma i organizuar nga shteti, pastor Toska tregon se solidarizimi me njerëzit përtej ngjyrës së lëkurës, etnisë apo kombësisë duhet të jetë një inisiativë personale e gjithëkujt që ka një mundësi sado të vogël për të ndihmuar tjetrin. I tillë ka qenë edhe vendimi i ti për të ofruar pensionin për 2 vjet ata që kanë humbur të afërmit, apo që kanë nevojë për trajtim mjeksor prej plagëve të marra.

Sakaq qeveria shqiptare ofroi nga fondi i rezervave të buxhetit të shtetit ndihmë financiare në vlerën e 100 mijë eurove për Greqinë me qëllim lehtësimin e pasojave dhe dëmeve të shkaktuara nga zjarret masive që goditën vendin, por inisitiava të tilla solidarizuese si kjo e pastorit me gjasë duhet të jetë ndër të paktat.