I janë dashur 18 vjet për të konceptuar studio galerinë që u ka prezantuar rishtazi bashkëqytetarëve të tij kuratorit të saj, artdashësit Edi Shuka. Ky reflektim i gjatë lidhet me dashurinë që Edi ka për qytetin e barkave, sikurse e cilëson ai Durrësin. Në këtë galeri, ku janë ndërthurur punime druri dhe objekte muzeale me vlera të rralla, artdashësi është kujdesur të pasqyrojë të gjitha vlerat e artit dhe kulturës durrësake.
Në çelje të saj, u ekspozuan plot 500 piktura në vaj të gërshetuara me foto që datojnë 100 vite më parë. Një udhëtim në kohë për të gjithë nostalgjikët e Dyrrahut dhe artëdashësit që u bën jehonë vlerave dhe traditës së një qyteti me histori të lashtë.
Artisti tregon se ky është vetëm fillimi i asaj çka pritet të ekspozohet në këtë galeri, pasi në fondin e krijmtarisë së tij ekzistojë rreth 1500 punime të cilat do t’i ofrohen publikut durrësak në vijimësi. Për më tepër Edi Shuka paralajmëron edhe ekspozimin e të tjera objekteve të rralla që dëshmojnë për trashëgiminë kulturore e historike të Durrësit.