Prej rreth 10 ditësh, banorët e 3 fshatrave në Shkodër, ato të Trushit, Dajçit dhe njësisë administrative të Velipojës po kalojnë mbrëmjet në errësirë. Duke nisur nga ora 20:00 deri rreth orës 23:30, çdo natë, në këto fshatra ndërprehet energjia elektrike pavarësisht se banorët janë pagues të rregullt. Për këtë situatë, ata akuzojnë OSHEE-në, pasi sipas tyre, dritat u fiken këtyre fshatrave për të favorizuar plazhin e Velipojës.
“Ne paguajmë çdo muaj faturat e energjisë elektrike dhe prej disa ditësh nuk kemi drita. Çdo mbrëmje, jemi në errësirë dhe OSHEE thotë se ka ngarkesë në rrjet por e vërteta qëndron diku tjetër. OSHEE po na e ndërpret energjinë, vetëm për të favorizuar plazhin” – thotë një nga banorët e fshatit. “Ikja e dritave na penalizon edhe për furnizimin me ujë. Unë këto ditë kam dasmen e djalit, dhe çdo mbrëmje kam miq në shtëpi. Me paratë e faturave tona, ata të investojnë në përmirësimin e rrjetit. Kjo është e padrejtë” – thotë një tjetër.
Të pyetur për këtë pretendim të banorëve, specialistët e OSHEE-së në Shkodër thonë se problemi qëndron tek mbingarkesa në rrjet dhe hërë pas here ndërprerjet e energjisë janë të pashmangshme. Ata justifikohen me faktin, se gjatë kësaj periudhe, plazhi i Velipojës mbipopullohet përtej kapaciteteve të transmetimit të energjisë.