MENU
klinika

Përsëri në jetë!

Fatos Kongoli: Mendova Eutanazinë

15.08.2018 - 14:55

Nga Beti Njuma

Nuk mbaj mend çfarë më preku më shumë kur hyra në dhomën e spitalit. Fakti që nuk e njoha, aq shumë qe ligur e tretur, apo gjendja e pashpresë në të cilën e pashë. Atë pasdite të vonë fillim marsi, Fatos Kongoli dergjej në katin e parë të repartit të Kirurgjisë në QSUT-ë, në gjendje kritike, pas dy operacioneve të vështira që nuk dihej si do t’u shkonte filli.

Qe operuar fillimisht në 12 janar, dhe ndërhyrja e dytë, më 10 shkurt kish qenë rrënuese për trupin e tij të brishtë. Shkrimtari i dashur ishte diagnostikuar me kancer dhe drama e tij qe konsumuar në heshtje me bashkëshorten Lilin që s’i ndahej për asnjë çast, larg fëmijëve që jetojnë në Amerikë dhe vetëm me ndihmën e mjekëve e të personelit spitalor që e kishin ndjekur me kujdes ditë pas dite.

Ndoshta askush nuk do ta kish marrë vesh që Fatos Kongoli ishte rëndë pas dy ndërhyrjeve kirurgjikale, i klasifikuar me diagnozën “Ca – rectum”, sikur më 28 shkurt, në facebook, botuesi i tij Fatmir Toçi të mos kish postuar lajmin e rëndë: “Fatos Kongoli ndodhet në peiudhën postoperatore në QSUT “Nënë Tereza” dhe ka nevojë për dhurim gjaku…”

Nuk e mendova dy herë. Edhe unë si shumë miq të tjerë renda në spital për të dhuruar gjak ndërsa në shtratin e dhomës së spitalit, (shefi i pavionit kish liruar enkas për shkrimtarin zyrën e tij) gjeta një njeri kockë e lëkurë, të verdhë, të harkuar mbi shtrat, me duart të përdredhura, me sytë e trembur e pa shkëlqim që përhumbeshin diku, dhe fytyrën e ngrirë, pa atë buzëqeshjen miqësore që ia njihja mirë, pas shumë takimesh e intervistash që kemi realizuar sëbashku.

Bashkë me Fatosin, gjendej Lili, bashkëshortja, infermierja, shoqja e netëve të gjata pa gjumë, e dhimbjeve para e pas operacionit, e tekave të kuptueshme për një të sëmurë të atij stadi, që prej dy muajsh jetonte në pavion, duke u kotur sa në karrike e sa tek këmbët e shtratit spitalor, shoqëruese e pandarë në të mirë e në të keq.

Në atë mbretëri dhimbjeje ku koha rrjedh duke pritur, ku nga të katër anët kishte të sëmurë, shumë syresh edhe të pashpresë, Lili dhe Fatosi u gëzuan që pas tre muajsh dhoma u mbush jo vetëm me mjekë por me fytyra të dashura miqsh që u shprehën mbështetjen, iu gjenden pranë dhe u thanë një fjalë të mirë, atë që shkrimtari kish nevojë të dëgjonin: Do t’ia hedhë paq!

E lehtë të thuhej me fjalë! Aq më tepër kur në Ipadin që mbante në duar, në hapësirën Notes, pas operacionit të vështirë Lili kishte shënuar: Një tmerr i vërtetë! Qoftë me kaq!

Kanë kaluar thuajse pesë muaj, dhe tek më tregon shënimin e bërë ato ditë të vështira buzë vdekjes së të shoqit, Lulu, emri me të cilin Fatosi e thërret me përkëdheli, i kthen sytë drejt tij, i shtrëngon duart dhe nis të përshkruajë edhe një herë shtigjet e atij udhëtimi të dhimbshëm, ku burrë e grua u besuan njerëzve me të bardha. Fatosi e dorëzoi veten pa rezerva, pa kushte, por tek e fundit a kishte zgjidhje tjetër?

Çiftin Kongoli e takoj në Qerret, në një vilë të bukur buzë detit ku janë zhvendosur që prej fundmarsit, pas daljes nga spitali. Miku Julien Roch të cilit i janë pafundësisht mirënjohës u ka vënë në dispozicion shtëpinë e tij dhe gjithçka nevojitet për aftësimin e plotë të shkrimtarit.

Është pasdite herët dhe teksa pres hapjen e një porte të madhe hekuri afshi i nxehtë i gushtit më përvëlon dhe habitem sesi rrëzë pishave të larta nuk depërton asnjë grimë nga ajri i freskët i detit, pak metra më tej. Pas portës gri shfaqet Fatosi dhe e shoqja. Jemi të gëzuar që shohim njëri-tjetrin. Jam e lumtur që Fatosin e gjej përsëri në këmbë. Çapitet me kujdes e po ashtu ngadalë ngjit shkallët që të shpien në një holl gjigant me një mori librash në gjuhë të huaj, e ku mbi një piano gjenden edhe pesë tituj në shqip nga krijimtaria e tij. Ulemi dhe jam e paduruar të dëgjoj si ka ndodhur mrekullia, si u ngrit në këmbë përsëri teksa kujtimi i fundit që ruaja ishte ai i një burri në limb.

Me zërin e shtruar e duke mbajtur gjallë bisedën Fatosi nis të rrëfejë kalvarin e sëmundjes, neglizhencën e tepruar që e çoi buzë vdekjes, analizat e njëpasnjëshme, ndërhyrjet, punën e shkëlqyer të dy mjekëve Prof Edmond Çelikut dhe Henri Kolanit dhe tërë ekipit mjekësor pa harruar qindra mesazhe nga miq e dashamirës, edhe të panjohur. “Erdhën njerëz që s’i njihja, lexues që nuk i mbaj mend” thotë Fatosi teksa kujton se ndodhi pikërisht ajo që s’donte, zhurma mediatike.

Operacioni i dytë ishte fatal. Humbja në peshë e shoqëruar me degradimin fizik i pamundësoi jo vetëm ecjen por edhe ndjeshmërinë në pjesët dërrmuese të trupit. “Isha një gjysmë i vdekur” rrëfen shkrimtari për çastet e pezullta mes jetës dhe vdekjes. Ndonëse ka kujtime të mjegullta të periudhës së kaluar në reanimacion një gjë mban mend mirë gatishmërinë dhe mirësinë e personelit spitalor që i jepte kurajë.

Pastaj lëshon fjalinë që të mbledh një lëmsh në grykë: “Mendova eutanazinë! Kur mësova hollësitë e post-operacionit, thashë, e ç’më duhet jeta?! Lutesha që të ikja.” Kërkonte një ikje dinjitoze ashtu siç mund të kenë bërë edhe njerëz të tjerë të letrave. Si mund të harrohet rasti i shkrimtarit belg Hugo Claus, disa herë kandidat për Nobelin në letërsi i cili në mars të 2008-ës, në moshën 78 vjeçare pas një kalvari të gjatë me Alcaimer, vendosi t’i japë fund jetës me eutanzai. Që sëmundja të mos e bënte të huaj ndaj vetes dhe të tjerëve shkrimtari i njohur zgjodhi “vdekjen e ëmbël” në një klinikë të Anversës në Belgjikë, një nga tre shtetet europiane bashkë me Luksemburgun dhe Hollandën ku lejohet eutanazia.

Për fat ky nuk ishte rasti për shkrimtarin shqiptar. Sot kur flet për eutanazinë Kongoli qesh me këtë mendim të çasteve të thella të dëshpërimit. Por kush ka jetuar aq gjatë në spital dhe pa shpresë e di se aty jeta ndalet, pëson një frenim dhe koha është e ndryshme. Një botë thuajse paralele, një dimension tjetër.

E tillë është edhe jeta e re pas spitalit, periudha e rehabilitimit dhe e riaftësimit fizik. Tashmë prej pesë muajsh, bashkë me çiftin Kongoli në vilën e Qerretit jeton edhe fizioterapisti i tij Ermal Hylviu. “Nëse jetën ma shpëtuan kirurgët Çeliku dhe Kolani, Ermali më ka ngritur në këmbë” thotë Fatosi, pa harruar sigurisht heroinën e vërtetë të çdo çasti, Lilin.

Që prej 21 marsit, dita e daljes nga spitali, dy herë në ditë shkrimtari i është nënshtruar një programi të specializuar rehabilitimi për të vënë përsëri në punë muskujt e duarve e këmbëve. Një proçes i gjatë përballjeje me jetën e re ku nuk ishte më zot i vetvetes por plot këmbëngulje titanike që me punë trupi të gjente mënyrën për të rifituar vetveten.

Një proçes i gjatë për të mësuar teknikat për të kryer edhe lëvizjet më të parëndësishme, duke u stërmunduar shumë për të arritur një minimum pavarësie, deri sa dora-dorës u ngrit nga shtrati, arriti të çapitet, mbështetur pas parmakëve dhe Ermalit derisa u ngrit përsëri në këmbë. “Mësova nga e para, të eci si një fëmijë, mësova të jetoj përsëri.”

Në moshën 74 vjeçare, jeta e Fatos Kongolit, njërit prej shkrimtarëve më të dashur shqiptar ka ndryshuar. Në sirtarin e tij sot nuk ka më vetëm iluzione, personazhe përmes të cilave të zbërthejë vetveten, por ka shpresë dhe një dëshirë të madhe për të jetuar. S’më mbetej veçse ta uroja: Mirë se erdhe përsëri mes nesh!

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB