Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren Brunilda Kadi. Anëtarja e Gjykatës së Tiranës, e cila është edhe kandidate për anëtare në Këshillin e Lartë Gjyqësor arriti të kalojë kështu procesin e vettingut.
Bazuar në raportimin e ILDKPI, KPK ka komunikuar se gjyqtarja Kadi nuk ka rezultuar të ketë pasuri të fshehura, e se burimet e saj financiare janë të ligjshme.
“ILDKPI ka dorëzuar një raport me konstatimin se deklarimi është i saktë, ka burime financiare të ligjshme, nuk ka kryer fshehje pasurie. Gjyqtarja ka deklaruar këto pasuri: Apartament 124 m2 në Lanabregas, në pronësi me bashkëshortin, i marrë me kredi. Benz i blerë në 2008-ën, po në bashkëpronësi me bashkëshortin, me vlerë 700 mijë lekë.
Ka patur të ardhura te mjaftueshme për blerjen e kësaj makine, si dhe një makinë tjetër tip Toyota”, deklaroi KPK rreth pasurisë së gjykatëses Brunilda Kadi gjatë seancës dëgjimore dy ditë më parë.