MENU
klinika

Studimi

Shpërqëndrimi/ Nuk është Interneti fajtori…

26.08.2018 - 15:24

Mes shumë fatkeqësive për të cilat çdo ditë fajësojmë internetin, një ndër më të rëndat është sigurisht ajo që ka të bëjë me shndërrimin tonë në peshq të kuq, gjithmonë të hutuar dhe në mënyrë të pashërueshme të katandisur me një aftësi përqëndrimi në pikë të hallit.

Faqet e shumta të internetit që mbajmë hapur, lajmërimet e mesazheve në messenger apo watssap, komentet, zemrat apo lajkat, duket se na kanë shndërruar në ca kafshë të paafta për ta bërë një punë, e për ta çuar atë deri në fund.

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për të lexuar diçka online apo jo, për të shkruar një imeil, apo një artikull, vëmendja jonë shpërqëndrohet me dhjetëra herë.

Sipas një kërkimi të Microsoft të 2015-ës rezultoi se aftësia jonë për të qenë të përqëndruar ishte reduktuar nga 12 në 8 sekonda, më keq sesa peshku i kuq i cituar më lart.

Ku do të përfundojmë për faj të internetit? Si do t’ia bëjnë fëmijët e sotëm – të lindur në epokën digjitale –që të përqëndrohen tek aktivitetet e përditshme? Megjithatë studiuesit thonë se nuk duhet ta humbasim toruan. Ndoshta jo gjithçka ka humbur njëherë e mirë.

Këtë e pohon një kërkim i ri që mban vulën Princeton dhe California-Berkeley University, i cili ka krahasuar trurin e qenieve njerëzore dhe të majmunëve duke zbuluar se në të vërtetë vëmendja jonë përqëndrohet në blloqe prej 250 mikro-sekondash.

The Outline sjellin edhe metaforën me të cilën studiuesit e universitetit janë përpjekur të shpjegojnë këtë aftësi. Truri ynë është i ngjashëm me një teatër ku mbizotëron një dritë kryesore, por edhe shumë të tjera, që përbëjnë ndriçimin tërësor. Ndriçimi kalon në mënyrë ciklike nga përqëndrimi mbi një detyrë të vetme tek vëmendja rreth asaj që ndodh përreth nesh.

Sipas Ian Fiebelkorn, shkencëtari në krye të këtij studimi, nuk bëhet aspak fjalë për një problem që kërkon zgjidhje, përkundrazi, «Vëmendja është diçka fluide, dhe qenia njerëzore po ashtu. Të përqëndrohemi në diçka të vetme do ta zhdukte avantazhin tonë evolutiv që na ka dhënë mundësinë të përqëndrohemi si në diçka tejet komplekse ashtu edhe mbi atë që na rrethon».