MENU
klinika

Poezitë

Shpëtim Selmani/ Bastardi i rrugëve ku u vra shpirti

29.08.2018 - 09:57

Nga Ilnisa Agolli/

Të bësh një hyrje për Shpëtim Selmanin, shkrimtarin rrebel, të vërtetë, me një penë dhe mendje “të përndritur” sikundër mund të shprehej Faik Konica, mund të ngjasoj pak si e dalë mode.

Poezitë e tij kanë përgjigjet e të gjitha pyetjeve që ne mund të ngremë. Doemos ka dhe nga ata që mund të pyesin se kush është?

Ai është shkrimtari që vetëprezantohet përmes vargut të tij:

Jam Shpëtim Selmani.
Motherfucker i shkencës së njohjes njerëzore
Endacak bastard i rrugëve ku u vra shpirti
Dhe nderi. Dhe turpi. Dhe faji. Dhe arsyeja.
Po endem atypari
Unë dhe macja pa sy e Edgar Allan Po-së
Ende kam mundësi të bëj marrëveshje
Të fshehura me veten
E vetmja lumturi në duar
Po merrem me teatër. Teatri
Tjetër, dhuratë nga perënditë
Është një shfaqje pa shije
E mbipopulluar nga aktorët e këqinj.
Jam kundër të gjitha qeverive
Jam kundër të gjitha bashkësive atdhetare
Dhe lirisht mund ta përdhosni
Idenë time sakate, e cila qëndron e varur
Nëpër shtyllat elektrike
Shkruaj poezi. Kohëve të fundit
Më duket se të gjitha janë të njëjta
Dhe habitem me veten pse nuk
Heq dorë nga kjo gjë
Por kur ndalem e mendoj
Mendja e qenies njerëzore
Është një shkëmb fanatik
Që duhet të çahet në dysh.
Kam vibrime të frikshme kur
Gjëra të liga më rrethojnë
Në mes errësirës rri i heshtur,
Vështroj dhe ha thonjtë
Jam romantiku i fundit
Hedhur si copë trëndafili

Në planetin e pajetueshëm
Shel Silverstein është
Miku im më besnik,
Ngase nuk e njoha kurrë.
Jam Shpëtim Selmani.
Edhe nëse nuk do të isha
Nuk do të kishte farë rëndësi
Fund e krye i rrahur nga
Grushtet e realitetit
I dëbuar politikisht
I urryer nga bombëkurdisësit
I bekuar nga një grua
Dhe tragjikisht i zbathur në
Fushën e madhe të prushit
Përgjithmonë hajvan vetmitar duke i dhënë
Botës dicka, për të cilën ajo
nuk ka fare nevojë.
Një poezi.

⁃ Si e kalon ditën ?

Sh. Selmani: Varet. Kur kam punë jam në prova. Në teatër! Kur nuk punoj, lexoj dhe e shtyj ditën me zorr. Ndonjëherë nuk më bëhet asgjë. Prej një viti merrem me Lirin ( djalin ) dhe Blertën ( bashkëshorten). Lodhemi sëbashku.

⁃ Kur shkruan zakonisht?

Sh.Selmani: Kur hidhërohem. Në çaste hidhërimi.

⁃ Pse shkrimtarët i lumturon hidhërimi?

Sh. Selmani: Nuk flas për shkrimtarët. Nuk i përfaqësoj ata.

⁃ Si është një ditë jotja kur je kështu?

Sh. Selmani: Hesht! Gjithçka që dua është të jem vetëm. Nuk flas fare. Edhe ato pak fjalë që them manifestohen si nervoze. Dëshiroj të dëgjoj muzikë dhe të shkruaj. Por shpesh nuk mundem sepse jeta nuk të lë të bësh çfarë ti do. Ky është mësimi më barbar që kam kuptuar. Ne vetëm shohim se çfarë ndodh me NE.

⁃ Të frikëson kjo gjë?

Sh. Selmani: Jo! Shpesh më bën pasiv dhe më heq dëshirën për të bërë gjëra. Më fut ndjenjën e përtacisë…sikur nuk jam.

⁃ Nuk i trembesh boshit? Asgjësë?

Sh. Selmani: Jo, jo nuk i trembem asgjëje. Madje mund të them se kisha edhe pak kohë që nuk shprehesha kështu, pasi djali më ka dhënë një dimension të ri. Tani mendoj dy herë, një mendim për mua që më takon vetëm mua dhe një mendim që na takon të dyve. Mua dhe djalit!

⁃ Sa vjeç është Liri?

Sh. Selmani: Liri ka vajtur gati një vit pas vdekjes së tim eti. Babai im ka vdekur më 20 gusht. Liri lindi më 31 gusht.

⁃ Mendon se ke ndryshuar për një vit?

Sh. Selmani: Nuk kam ndryshuar. Thjesht po përpiqem të përshtatem në këtë funksion të ri.

⁃ A po ia del?

Sh.Selmani: Nuk e di kurrë a ia dal për ndonjë gjë. Vetëm se përpiqem.

⁃ Libri yt me poezi “Në kohën e gjakut dhe zhgënjimit” është shumë interesant. Si u prit?

Sh.Selmani: Nuk u prit fare. Askujt nuk i intereson.

⁃ Nuk u komentua?

Sh.Selmani: Jo. Kurrë!

⁃ Je asocial? Si është puna?

Sh. Selmani: Jam shumë social por nuk është kohë e letërsisë. Njerëzit më thonë shumë mirë dhe e di që nuk e lexojnë. Përpara kësaj, kam botuar një libër me shënime ku kam qenë shkrimtar rezident mes Prishtinës, Tiranës dhe Beogradit. Ndonjëherë mendoj se nuk e meritoj të diskutohem edhe pse njerëzit e komentojnë mirë pa e lexuar fare. Ose mjaftohen me dy-tri vargje.

⁃ A do të thotë që lexohesh kur nuk diskutohesh?

Sh.Selmani: Nuk e di.

⁃ Çfarë ngjyre ka pesimizmi yt në letër?

Sh. Selmani: Të bardhë.

⁃ Po dashuria çfarë zëri ka? A ka flokë? Fytyrë? Rroba?

Sh. Selmani: Çfarë pyetje ( qesh)

⁃ E keqe?

Sh. Selmani: Jo nuk them e keqe, por më bën të qesh sepse të flasësh për dashurinë sot është shkencë. Duhet të jesh mjeshtër në gjithçka.

⁃ Është si prostituta në një poezi tënden? Aso kohe nuk kishe shkuar me një të tillë?!

Sh. Selmani: Ende nuk kam shkuar me askënd me para.

⁃ Çfarë ndryshon në perceptimin tënd ndaj botës pas çdo botimi dhe poezie?

Sh. Selmani: Asnjë gjë.

⁃ Më kujton Bukowskin. Është gjë e mirë?

Sh. Selmani: Jo. Nuk dua të kujtoj askënd. As Bukowskin!

⁃ Më kujton dhe shkrimtarë të tjerë dhe pak veten në disa poezi, heshtjet, gotat. Një jetë në thelb të “penave” që nuk i kuptoi askush dhe është më bukur kështu.
Sh. Selmani: Kjo është super.

 

⁃ Më trego një poezi tënden të cilën do shumë!
Sh. Selmani :
*
Isha tetëmbëdhjetëvjeçar dhe
Më rrihej nëpër kafene duke
Vështruar grupe të ndryshme
Banditësh, që thereshin për
Vasha që kishin ikur
Nga shtëpia e Zotit.
Më merreshin mendtë nga
Tymi i cigares dhe përsëri
Rrija me këmishë të çelur,
Gjoksi im ishte atdheu njerëzor.
Pija alkool, dehesha e villja
Në prehërin e miqve dhe
Shënoja një gol në portën
E mëngjesit, pastaj festoja
Në mes qenve endacakë.
Porta gjithmonë kishte qenë e zbrazur
Dhe unë gjithmonë disi i lumtur.
Lexoja libra të çuditshëm para
Syve të kamarierëve hamshorë dhe
Pranoja dhurata nga vasha që dëgjonin
Muzikë të mirë dhe mërziteshin
Kur binte shi apo kur qielli bëhej i zymtë.
Dëgjoja profesorët. E dija saktë kush ishin
Armiqtë e mi. Merrja pjesë në protesta.
Ia çoja mirë me matematikën.
Lyeja flokët dhe vishesha në rregull.
Nuk mungoja në orët e ligjëratave dhe
I ndihmoja të dobtët në mësime.
Isha shembull. I rregullt dhe model
Që duhej ndjekur.
Por ja që më morën në qafë Beat Poetët.
Më mori në qafë një libër, quhej Gratë.
Më morën në qafë pantollonat e grisura në
Gjunjë dhe jelekët e cicave
Që i mbante Kurt Cobain.
Më mori në qafë klithma
Idiote e Jim Morrisonit të përdalë.
Më mori në qafë Houellebecq
Dhe gishtat e tij tretur nga duhani
Më mori në qafë Fadil Bajraj
Me grushtin që çante ajrin përderisa
Këndonte Personal Jesus.
Më mori në qafë Bolano,
Ngase njëjtë sikurse babai
Im nuk i mbushi as të gjashtëdhjetat.
Më morën në qafë Bad Seeds
Përderisa i këndojnë dashurisë
Pa pikë turpi.
Më mori në qafë Ulërima e Ginsbergut,
Unë i përkas të njëjtit brez.
Më mori në qafë Punk-u.
Më mori në qafë Amerika.
Më mori në qafë teatri.
Më mori në qafë Haiku japonez.
Më morën në qafë dhëmbët e prishur
Të poetit të rrugës, Jack Micheline.
Më morën në qafë fjalimet e përlotura
Të fëlliqësirave hollivudiane.
Më mori në qafë Arben Idrizi.
Më mori në qafë San Francisko.
Më morën në qafë rrugët e Parisit.
Më mori në qafë Milos Zivanovic.
Më morën në qafë librat.
Më mori në qafë Shkëlzen Maliqi.
Më mori në qafë poezia.
Më mori në qafë Blerta Hocia.
Më mori në qafë Johnny Cash.
Më mori në qafë surrealizmi,
Dadaizmi, kubizmi, simbolizmi,
Absurdizmi, natyralizmi dhe mutizmi.
Më morën në qafë buzët e Patti Smith.
Më mori në qafë Patrick Suskind.
Mario Vargas Llosa.
Më morën në qafë kinezët dhe
Rusët dhe dreqërit dhe politika dhe
Dhimbjet dhe teatri dhe botërat dhe religjionet
Dhe luftërat dhe helmet dhe bërtimat
Dhe perënditë dhe të ardhmet dhe kombet
Dhe shatë pidhat
E nënës.

⁃ Si është të jetosh me ty ?
Sh. Selmani: Në fillim mund të jetë bukur, pastaj normal. Kam dhe unë veset e mia. Për shembull; çmendem nëse nuk jam në kohë. Nëse të them takohemi në orën dy dhe ti nuk vjen, çmendem. Apo kur hidhërohem…më shkon shumë gjatë hidhërimi. Por nga vdekja e babait nuk jam shumë gazmor. Kam qenë shumë gazmor dhe nuk kam folur seriozisht kurrë. Më pëlqente veç humori dhe shokët më ikën. Më të mirët u katandisën. Paskësaj shkrova këtë vjershë të shkurtër:
” Rrjedha më tragjike e gjërave,
Është katandisja e miqve.”

⁃ A lexon poetë shqiptarë?

Sh. Selmani: Shokun tim Arben Idrizi. Edhe të tjerët i lexoj dhe i njoh. Disa i kam miq.

⁃ Idrizi është ai që të mori më qafë?

Sh. Selmani: Po. E kam mik të mirë.

⁃ Dua të di konceptin tënd të lirisë. Çfarë është liria?

Sh. Selmani: Jam hipokrit i madh përballë lirisë.

⁃ Si e sheh në tërësi realitetin shqiptar ?

Sh. Selmani: Të çmendur! Jo normal.

Më pëlqejnë shqiptarët

(Sipas poezisë së Hemingway – Më pëlqejnë amerikanët)

Më pëlqejnë shqiptarët,
Janë miq të mëdhenj të amerikanëve
Dhe për ta e lënë kokën në baltë.
Janë gjaknxehtë dhe dinë gjithçka.
Nuk i duan kritikat por ama
U pëlqen të kritikojnë dhe
Të mendojnë se nderojnë heronjtë.
Ndonjëherë duhet të mendosh si ata
Në të kundërtën koka të shkon në erë.
Dashurojnë telefonat e mençur
Dhe gratë e Ish Bashkimit Sovjetik.
Janë shumë të dijshëm.
Nëse thonë se një javë ka dhjetë ditë.
Ashtu do të jetë përgjithmonë.
Nuk e duan të vërtetën. Dhe të kaluarën.
Ikin nga të dyjat duke mos
Kthyer kokën pas. Kurrë nuk e
Dinë se ku po shkojnë.
Janë entuziastë. Të gjallë.
Të rinj dhe hakmarrës.
E kanë kuptuar demokracinë.
E kanë keqkuptuar religjionin.
Dhe janë në hall me liderët e tyre.
Gjithmonë kanë probleme me tjetrin.
Me veten e kanë rregulluar moti kohë.
Lexojnë shumë pak.
Dhe mërziten shumë shpejtë nga idhujt.
Ju pëlqen të hanë shumë dhe
Të krekosen kur folin për luftën.
Mburren kur flasin për rrahje
Dhe vdesin për cilin do det.
Dashurinë e mbajnë në xhepat
E pantollonave dhe çmenden
Pas kroatëve që zbuluan kravatën.
Kur bëjnë para, i harrojnë miqtë
Dhe martohen.
Besojnë në zakone të vjetra dhe
Jetojnë sipas atyre të rejave.
Posa lindin bëhen politikanë
Dhe të vyeshëm për atdheun.
Të gromësijnë në vesh dhe
Thonë se po çlirohen.
U pëlqen të pinë kafe dhe të duken.
Të mos ia fusin askujt.
Janë të çuditshëm.

⁃ Ti nuk të lë vend për pyetje. Gjithçka që unë mund të pyes, ti e ke në poezitë e tua.
Sh. Selmani : Besoj, që po.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB