MENU
klinika

Vështrim hallesh

Tepelena nën hijen e Aliut

09.08.2018 - 11:21

Bukuria e hajduterisë në traditë ngre qytet. Nuk është hajdutëri e rëndomtë, ka brenda diplomaci, vizion, gjenij, fortësi, brutalitet, ndjeshmëri, përgjegjësi. Fundja kaçakeria ka qenë nder në kohën kur maskarralleku marshonte. E gjitha kjo e shtrirë horizontal mund të bëhet fare mirë shtatore e Ali Pashë Tepelenës dhe u bë.

Rrugës kur po kthehej njëherë në Tepelenë i thotë një vartësi të tij. Çfarë është ai fshat? Është Lekli i përgjigjet vartësi. Atë fshat nuk e dua më, zhdukeni! Për fat të tij të keq vartësi kishte lidhje nga fshati i Leklit të Tepelenës. Ky gjeni drejtues i zënë në gojë të shumë shkrimtarëve shkrihet me fustanellën e tij të zgjatur serbes dhe nuk ia ndien për vitet e gjata që i janë shuar në shesh të qytetit.

Kokën ia vendosën në hu në Stamboll, trupi në Janinë thotë kënga, megjithatë ai si ndryshoi idealet e tij. Ashtu bëri dhe ai me Hormovën, i shkoi në hu të krishterët, ashtu e pësoi. Megjithatë tepelenasit i zënë vetëm të mirat, idealet e kombbërjes dhe kanë të drejtë. Po a i ndryshuan idealet vetë tepelenasit sot?

Qyteti është i rrahur nga era në 25 orë të ditës së tij, ashtu dhe qytetarët duket sikur rrahin njëri-tjetrin e u ikën tepeleku. Aq erë e marrë është sa dhe njerëzit po i bën si të marrë. Rrahjen dhe sherrin nuk e kanë për gjë, e kanë për nder. Edhe një metër afër bërtasin dhe duken. Janë të besës e të fjalës. Kënga popullore labe me iso që shkrihet bukur në Tepelenë.

Më parë mendohesh se nuk plotësoheshin dot 100 shtëpi, dhe si karakteristikë i ishte vendosur nofka ’’qyteti i 99 shtëpive’’. Kjo nuk barazohet sot me partinë G99 që u shua pa u krijuar, iku pa ardhur mirë, As me 99-shat e dikurshëm.

Mund të ketë ndonjë që rastis me pushtet të ketë qënë 99, ama tepelenësit janë njerëz të bërë me njëri-tjetrin dhe të çiltër, ta thonë në sy, edhe hallin edhe mallin, ta thonë copë. Në qoftë se përmetarët i bien nga Kina, tepelenasit i bien po nga Tepelena. Përmeti është i rrethuar nga ujqërit, Tepelena është ujku vetë.

Qyteti i ka dhënë përparësi zhvillimit urban në infrastrukturë, kjo si në gjithë qytetet e tjera me strategji pilot. Kjo fjala pilot për strategjinë duket si supersonike për ta bërë Shqipërinë e bukur. E bukur po mender e dhj***rë.

Njësoj si një me verdhëz t’i veshësh një kostum të verdhë dhe ta kombinosh për sëmundjen që ai ka me qëllim që t’i ulësh vuajtjen, ai prapë, mbuloje dhe me flori, vuan. Po kështu dhe Tepelena si stragjedi vendosi të bëjë të bukura rrugët, lulishtet. Kjo nuk është aspak keq. Por problem është se kur xhanëm do të mendojnë për njeriun. Njeriun o derman!!!


Në fillim të bëjmë rrugën, pastaj kopshtin, pastaj shkollat, pastaj pallatet, pastaj kanalizimet etj etj., dhe në fund fare do të mendojmë për njeriun e thjeshtë, për punësimin e tyre të harruar kur ai te ketë vdekur.

Shteti nuk mund dot të mendojë të punësojë njerëzit, po mund të ndikojë indirekt me politika gjithfarëshe punësimi, që tepelenasit mos rrinë rrugëve të Gjermanisë për një jetë më të mirë siç ndodhi në 2016-2017. Nuk ikin kot, një hall e kanë. Edhe bebet që lindin e kanë një hall e jo më të rinjtë nga Tepelena.

Rrugës për të vajtur në Tepelenë i bien nga Kina, në mos nga Japonia. Njerëzit vuajnë për një mijë e një arsye, gjendet arsyeja e dymijtë që ai të vuajë dhe ca sa t’i vëmë dhe një xhamadan me kullaro që quhet shesh. Të njëjtat karakteristika që gjenden në çdo qytet të jugut e përshkruan edhe Tepelenën. Vendi është malor. Jugu namin ka për fushë po është më malor se veriu i Shqipërisë, i thyer.

Në do të hash bulmet e gjen në Tepelenë, ai është mbreti. Nuk ka krahasim me qytet e tjera, prodhimet e fshatit aty kanë shije. Me thënë që më shumë shije kishin më parë do të ishte më mirë. Dëgjon nga fshatarët efekte çudibërëse për gjënë e gjallë. Po se berë kecin me hormone del me humbje. Mban një bagëti dhe del jek e jek. Më mirë të del të mbledhësh lule në mal se me bagëti. E çuditshme është se edhe lulet kanë filluar t’i shfarosin, t’i shkulin me rrënjë, ngeli mali pa nam e nishan.

 

Nuk i ha ujku se nuk ka ngel më ujk në Tepelenë, po ne shqiptarët jemi bërë ujqër, pyjet i dogjëm, madje dhe ullirin, kafshët i vramë, tani po mundohemi të hamë njëri-tjetrin me gënjeshtra. Me një javë viçi bëhet 200 kile dhe fshatari mbijeton dhe një vit në Tepelenë. Por problem është se kur shteti do të mendojë për njerëzit të jetojnë normalë, jo të mbijetojnë në kushtet e gënjeshtrës dhe të mizerjes.

Injorimi më i madh është për fshatarët. Fshatra të gjitha u zhdukën dhe kanë ngelur vetëm si emra me disa familje simbolike. Këtë se bëri as gjermani, as greku i dikurshëm në luftë që futi në thikë një fshat të tërë në Kodër, e bëri vetë shqiptari me emigracionin.

Në do të kuptosh problematikën e Tepelenës duhet të kuptosh qytezën e Memaliajt, Memaliaji tregon hallin e Tepelenës. Aty shtëpitë shkojnë shtrenjtë pothuasje sa Tirana, punën se gjen as në vrimën e miut, njerëzit janë arratisur, ata që s’janë arratisur si të marrë.

Njerëz aq të dashur sa edhe të ashpër. Edhe gratë bërtisnin nga trotuari në trotuar dikur. Qyteti ka qënë një përzierje etnike me përzierje të internuarish. Ai mbijetonte falë minierave të qymyrgurit. Kjo industri u mbyll, ra dhe Memaliaji me nder si shtatoret pas 1990-ës.

Qyteti rrethrrotullohet nga Vjosa që për inat të dimrit fryhet sa rrezikon ndonjëherë edhe vetë qytetin. Vjosa këtu kthehet lumë fushor dhe i gjerë, por dimri sjell dhe tërbimin e përrenjve të tjerë dhe lumin e Drinos. Nuk është vetëm i rrethuar nga lumi por edhe nga mallet dhe rrugët. Fatmirësisht Tepelena është në rrugë nacionale. Vetëm këtë ka, nuk ka gjë tjetër. Ka dhe fshatra të pasura që e rrethojnë.

Në qoftë se turizmi në Përmet dhe Gjirokastër do të ishte strategji, këtu nuk vlen kaq shumë, këtu fshatrat duhet të jenë turistikë për një sërë arsyesh. Duhet të rigjenerohet fshati pa të rigjenerohet Tepelena. Nuk ka Tepelenë pa fshat, si nuk mund të ketë Tiranë pa periferi. Problem themelor i Tepelenës është si të rigjenerohet fshati. Prodhimet fshatare janë me nam në Tepelenë dhe jashtë saj.

Por nami iku e po zhduket me emigrimin. Ata që ikin në emigrim protestojnë për një jetë më të mirë, nuk rrinë dot maleve, duan qytetërim. Tepelenasit qenë të parët që ikën, ose në emigracion, ose në Tiranë. Vajzat kërkojnë të martohen me emigrantë, djemtë kërkojnë të ikin emigrantë, mishi ikën emigrant.

Bagëti të tëra emigrojnë në Greqi si për mish dhe për shitje, ashtu si peshku i mirë i Sarandës dhe i Vlorës shkon në Greqi dhe maunia rrugës së kthimit merr peshk të ngelur nga Greqia e sjell dhe e shet në Shqipëri si peshk Sarande apo Vlore.

Shumica nuk do të rrijë në Tepelenë, nuk ka kushte, nuk ka mirëqënie, ka veç mbijetesë të ulur këmbëkryq me erën që vjen si e marrë. Një erë që mund të prodhonte energji për gjithë vendin, po ku ka strategji për forma alternative?! Qyteti nuk ka strategji për zhvillim normal të njeriut, ashtu si shumica e qyteteve punon si brumbulli.

Brumbulli është shumë punëtor. Ai punon gjithë ditën e perëndisë dhe bën topa që do t’i çojë në fole, rrugës duke u lodhur i fut dhe një të shtyrë topave dhe mundi i punës shkon kot i gjithi. Kështu dhe puna e shqiptarëve si dhe e tepelenasve është për t’u robtuar dhe për të marrë një haraç që të rikthen si gjinkalla te milingona në dimër.

Mund të punosh sa të duash, fundi është i njësojtë, përsëri i vobektë je, xhepshpuar. Kur do të mendojnë për njerëzit, kur ata të kenë vdekur? Kur do të vlerësohet puna për atë vlerë që ka njeriu?

Një tragjedi e kampit të Turanit dhe Tepelenës ktheu vëmendjen përsëri nga qyteti, por këtë rast për keq. Do ta kujtojmë përsëri vetëm në tragjedi Tepelenën? Bukur dy goca të hijshme bënin fotografi me Ali Pashë Tepelenën në mes. Si Aliu dikur mendojnë të gjithë t’i ngjajnë, gjithë ata që janë emigrantë, migrantë, madje dhe pushtetarët. Dhe Aliu do të na mirëpresë gjithmonë serbes!

Përgatiti E.Kllapi

Çfarë u gjet brenda automjetit të autorëve?

Breshëri plumbash drejt 30-vjeçarit, detaje nga atentati

Artistët vlerësojnë mikpritjen e publikut shqiptar

Muzika italiane Jazz, në Gjirokastër!

Dëmtohen të mbjellat dhe ura lidhëse mes fshatrave

Përmbyten tokat nga reshjet e shiut në Divjakë