MENU
klinika

Trevat shqiptare në Greqi

Tiranë-Kalampaka, mes shqiptarëve të Janinës e Kosturit

01.08.2018 - 13:23

E vendosur ne pllajën e Thesalisë, mes vargmaleve të Pindit dhe lumit Pineois, Meteora është ndalesa e dytë më e frekuentuar në Greqi pas Akropolit, Meteora është e përfshirë në trashëgiminë botërore të UNESCO-s.

E pozicionuar afro 300 km nga Tirana, afro 5 orë e gjysëm larg, Meteora është po ashtu një destinacion i frekuentuar nga shumë shqiptarë. Pamja e manastirëve të ndërtuar që në shek. e XIV-të në majë të shkëmbinjve në këmbët e të cilit shtrihet qyteti i Kalampakës, është tërheqëse për çdo vizitor.

Udhëtimi nisi në orët e para të mëngjesit, nga terminali i autobusëve pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Me një ndalesë të vetme në Tepelenë, ku mund të pushoje dhe të konsumoje kafen e zakonshme të mëngjesit, udhëtimi ishte i rehatshëm, për shkak dhe të infrastrukturës së mire, e cila lidhte Tepelenën me Gjirokastrën, për të dalë në pikën kufitare të Kakavijës. Ky është dhe itenerari më i shkurtër për të mbërritur në Kalampaka por edhe një mundësi e mirë për të parë qytetin e Janinës.

Qëndrimi në pikën kufitarë të Kakavijës të merr në rastin më të mirë dy orë. Pavarësisht mendësisë shqiptare duket sikur është pala greke që të vonon, kjo dhe për shkak të grevave të herëpashershme që bëjnë punonjësitë grekë, problemi nuk qëndron tek fqinji ynë. Është pala shqiptare shkaktare kryesore e vonesa që lidhen në më të shumtën e rasteve me problemet me sistemin për shkak të internetit të dobët.

Pas më shumë se dy orësh në pikën kufitare të Kakavijës, autobusi niset për në Janinë, qytetin më të madh shqiptar në jug të vendit deri në vitin 1913-të. I shtrirë përgjatë liqenit Pamvotis, janiniotët vijojnë të përshendesin në shqip, dhe me disa fjalë të ngarkuara nga dialekti grek lënë të kuptohet se të njohin pa u thënë se nga je.

Muzeu i Ali Pashes
Muzeu i Ali Pashes

Sikurse tregon ambasadori i SHBA-ve në Athinë dhe Podgoricë dhe i ngarkuar për këqyrjen e ngjarjeve në territoret shqiptare në vitet ’30, Xhorxh Fred Uilliams dëbimi me dhunë i kësaj popullsie, me fe myslimane por kombësi shqiptare, ka filluar që me shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar. Rrënojat e kalasë së Ali Pashës bashkë me mjediset e një xhamie të ndërtuar në atë kohë ishin ndalesa e parë e vizitorëve të huaj.

Në mjediset e xhamisë ishte dhe një muze që mund të vizitohej kundrejt një pagese prej 2 eurosh një muze ku ishin ekspozuar veshje të kohës të burrave dhe grave si dhe një pavion i veçantë kushtuar hebrenjve në këtë qytet. Hebrenjtë romaniotë kanë qenë një komunitet me prani të hershme në Janinë, ku njohu vitet më të mira të jetës gjatë pashallëkut të Ali Pashës i cili i la të lirë të zhvillonin tregtinë.

Ndërsa vitet më të errta ishin ato të pushtimit nazist, kur 95 % e një komuniteti prej 2 mijë hebrenjsh në Janinë rezulton të jetë deportuar në kampet e përqëndrimit Aushvic-Birkenau. Në verë hebrenjtë romaniotë vizitojnë çdo vit Janinën dhe hapin dyert e sinagogës së vjetër, Kehila Kedosha Yashan.

Vizita në ishull, në shtëpinë e Ali Pashës është një tjetër destinacion turistik që Janina e ofron përmes shërbimit me anije. Përmes 4 eurove (vajtje-ardhje) brenda 7-8 minutash mbërrin në ishull ku vërehet një numër i madh turistësh kryesisht aziatikë. Përgjatë rrugicës me kalldrëmë deri në shtëpinë-muze mund të gjeni dyqane me suvenire të ndryshme të punuara me dru dhe metale të çmuara si argjendi dhe floriri, një treg zejesh i ngjashëm me atë të Krujës ose Gjirokastrës.

Hyrja për në muze është me një biletë prej 3 eurosh për persona, ndërsa për grupet e turistëve është 2 euro si dhe vihet në dispozicion ciceroni. Kalampaka është vetëm 1 orë e gjysëm larg. Qyteti nuk ofron asgjë tjetër veç një shëtitore dhe malet me manastiret disa shekullorë të Meteorës.

Prej 8 manastirëve që kanë mbetur, vetëm 2 prej tyre janë të vizitueshme. Bileta për në manastir kushton 2 euro, dhe në të mund të vizitohet kisha, qilari me objektet që përdorin murgjit, biblioteka me librat që janë lexuar që në fillimet e jetës në manastir e deri në ditët e sotme, si dhe ballkoni që ofron një peisazh mahnitës me një ajër të pastër për shkak të lartësisë. Turisteve u rekomandohet një veshje e lehtë që të mos bezdisen më pas nga veshja e detyruar e disa tunikave që jepen në hyrje të manastirit.

Gjurmët e shqiptarisë pas Kalampakës do i gjeni në qytetin e Kosturit, vetëm 20 minuta larg pikës kufitare të Kapshticës. Autorë të huaj shkruajnë se ky qytet ka qenë më i qeti në të gjithë pashallëkun e Janinës. Kostri rezulton të ketë pasur 42 fshatra të banuar nga shqiptarë në bashkëjetesë me popuj të etnive të tjera.

Studiuesi dhe shkrimtari grek Dhimitri Lithoksous i cili ka ndërtuar një hartë të fshatrave të Kosturit sjell të dhëna se shtatë fshatra kanë qenë myslimane dhe dy të krishterë, të banuar nga shqiptarët pjesa më e madhe e të cilëve u dëbuan nga grekët pas vitit 1922. Në tokat dhe shtëpitë e shqiptarëve u vendosën refugjatë grek të ardhur nga Azia e vogël, por edhe popullsi vllehe.

Pra, fatin e njëjtë e pësoi pak vite më vonë edhe popullsia shqiptare nga Çamëria. Përpos gjurmëve shqiptare që ndeshje tek ndonjë fjalë gjysëm shqip që artikulohej nga vendasit, në Kostur nuk mund të gjeje ndonjë atraksion të veçantë. Liqeni Orestiada buzë të cilit ishte ngritur qyteti e ngjasonte atë me Linin e bukur të Pogradecit, ndërkohë që banorët në qetësi konsumonin drekën në disa lokale të vendosura në shëtitoren buzë liqenit.