MENU
klinika

24 karatëshi i harruar

Vithkuqi, midis harresës dhe mrekullisë natyrore

11.08.2018 - 09:23

Nga Eugent Kllapi

I rrethuar ndërmjet kontrastit të pemëve, rrjedhshmërisë së ujit të burimeve, rrugëve të dredhuara që sikur duan të mashtrojnë me thjeshtësinë e së bukurës natyrë përngjitur, gurëve të zinj e rrëpirave ku ngjit balta, ndodhet një fshat i quajtur Vithkuq. Me këtë pamje si të stisur ai të fton ta vizitosh. Rrethimi i dytë vjen nga shumëllojshmëria e pejizazheve historike kulturore që i japin identitet Vithkuqit. Pozicionohet 26 km në jugperëndim të Korçës. Dikur ka pasur 24 mijë banorë dhe 7 lagje, sot 1200 banorë.

Një mrekulli që të fton në 4 stinët e vitit ta shikosh, sot një nga vendet e rrezikuara sipas organizmave ndërkombëtarë pas Gjirokastrës e Voskopojës. Në të ka jo pak por 24 kisha, megjithatë problem është harresa.

Për nga rëndësia ai reshtohet në fshatrat më të bukura të Korçës, krijon trinomin e turizmit kulturor malor me Dardhën dhe Voskopojën.

Plot tri herë e kanë djegur po Vithkuqi qëndron në këmbë si mace me 7 shpirtra. Në luftën e I Botërore u dogj nga grekët që kryen masakra të papara aty. Në luftën E II-të botërore u dogj nga italianët. Nuk kishin të mbarruar djegiet, radha më pas ishte e gjermanëve. Aty ku shkel gjermani nuk mbin as bari thoshin të vjetrit dikur, por Vithkuqi rezistoi, më jeshillëk u bë.

Fshati ka nxjerre Naum Veqilharxhë po kohët e sotme nuk kanë Veqilharxhë, duhet t’i riformojnë ata.
Për çudi të madhe është një stoli 24 karatëshe që nuk ka kush ta mbajë në dorë e të gëzohet me të, një fshat pa turistë masivë. Resurset e shumta turistike nuk depërtojnë në mendjen e turistëve për arsye të ndryshme.

Dikur plakat e fshatit thoshin se më e vështirë se grindja mes njerëzve ishte harresa. Më mirë thoshin të më trokisë te pragu i portës e të më shajë, sesa të më harrojë e mos të më vijë fare. Kishin të drejtë, legjenda thotë se shtriga largohet vetëm duke qenë indiferentë me të. Po jo vetëm shtriga, edhe të bukurën plot sharm ne e largojmë me indiferencën e ‘egos’ sonë, në mos me ‘ego’ me harresë.

Ka disa arsye që Vithkuqi sot vuan për një turizëm të pasur kulturor. Një arsye e hapur është çështja e pronave. Akoma nuk është stabilizuar ky problem themelor ku fillon a-ja e turizmit. Nuk ka kapitalizëm pa prona, prona është a-ja dhe zh-ja e, jo vetëm kapitalizmit dhe demokracisë, por edhe dinjitetit dhe zhvillimit të njeriut.

Ndryshe Vithkuqi quhet fshati i 100 krojeve, që dhe po t’i numërosh humbet në shifra dhe në mendje, por ato duhen eksploruar më shumë se reklamuar.

Azis Panariti, kryetar i komunës, thotë për portalin korçajonë.com se ‘’Vithkuqi vuan që pas viteve 1990-të mungesën e një masterplani. Ai shton se nuk janë azhornuar tokat e fshatit, si toka bujqësore edhe toka truall, dhe kjo ka ndalur në vend çdo inisiativë në dobi të mirqënies e zhvillimit’’
‘’Vasil Shoren, është një inisiator që pret krahapur në lokal po ku ai në të shumtën e kohës rri i zbrazur.’’

Mungesa e infrastrukturës dhe e problemeve të pronave nuk duhet t’i stepë vithkuqarët që të mendojnë ta rikonstruktojnë fshatin e tyre për turizëm. Ka shumë mundësi që format organizative komunitare të jenë dobiprurëse për Vithkuqin.

Fare mirë shtëpitë të fshatit mund të rikonstruktohen si hotele. Të ardhurat prej tyre mund të shërbejnë edhe për rregullimin e rrugëve, shtëpive të tjera dhe të ngritjes së traditave të kaluara si përpunimi i leshit me grep ku vithkuqarët kanë qënë të mirë. Qilimat, velenxat, kuvertat, perdet e punuara nga duart e këtyre grave janë nga më të bukurat.

Nisma industriale si punishte të vogla mund të ngrihen për të tërhequr edhe me turizëm. E çfarë kërkon më shumë nga jeta një turist i huaj nga bukuritë e Shqipërisë. Një Vithkuq, po nuk e di ku bie ose di shumë pak për të. Të huajt janë shumë të interesuar për fshatra që ruajnë origjinalitetin e tyre.

E veçantë dhe mjaft e pasur është kulinaria e këtij fshati me pastërmatë, trahanatë, mishin e pjekur, turshi, lakrorë me miell gruri e misri, tava me qumështorë. Ushqimi në këto zona është një traditë e vjetër e gjithë krahinës, një ndërthurje midis tradicionales, autentikes dhe shkëmbimeve kulturore të ndryshme.

Mund të provosh dhe rakinë e dashur të kumbullës, karakteristikë e kësaj zone. Kjo mund të ndërthuret me prodhimet artizanale dhe shtëpitë karakteristike, aq të lakmuara për turistët.
Sot Vithkuqi përmblidhet në tre lagje, Grekasi, Saraqi, Dukasi. Botanika dhe zoologjia është mjaft e pasur. Kjo është diçka pozitive për ndërthurjen e turizmit, e zhvillon atë.

Pjesë e rëndësishme e zhvillimit të turizmit në Vithkuq duhet të jetë gjithashtu thesari historik që është jo i pakët. Ai fillon që nga antikiteti e deri në mesjetën e vonë për të ardhur në ditët tona si kulturë e trashëguar ku duhet të ndihemi krenar por edhe përgjegjës. Aty ka shumë monumente kulture, ngjarje dhe figura historike që i kalojnë përmasat e një fshati apo qyteti.

Vithkuqit të fton në monumente kulturore, do vetëm takat dhe nge. Shumë vizitorë i janë rikthyer fshatit si miq. Ndër vizitat që ngelen në mendje është Manastiri i Shën Pjetrit, Manastiri i Shën Kollit, i Shën Minait dhe Mitropolia e Shën Millit. 8 kisha të rikonstruktuara si Shën Pjetri, Kozma Damianov ose Qimitiri, Shën Kostandini, Vangjelizmoi, Shën Milli, Shën Gjergji, Shën Dëllia, Shën Mëria, Shën Nikodhimi.

Një rëndësi të veçantë si vepër historike dhe fetare, paraqet kisha e Shën Pjetrit, e cila u ndërtua në shek XVIII, rreth 1764-1773, e cila përbëhet nga afreske të mrekullueshme me rreth 2000 piktura, e punuar e gjitha me kontributin e vetë vithkuqarëve dhe e ndërtuar nga mjeshtërit vithkuqarë që kishin punuar në Venecia si Dhima Dukasi, Hari Venetiku, Dine Krekasi, Vaso Sumbulla, Kule Deti.

Në mesjetë zhvillimin kulturor, ku futej dhe arsimimi, e kishte në dorë kisha, duhet të nderohemi që kemi kaq shumë kisha dhe monumente kulturore fetare që i japin fizionomi kulturës tonë.

Në krah të Shën Pjetrit është ajo e Kozma Damianoit, në të cilën ruheshin eshtrat e të vdekurve. Kisha e Shën Millit të Vithkuqit, ka një bukurie të rrallë, ruan në brendësi thesare të afreskut pikturuar nga Zografët dhe Shpatarakët, të cilët kanë pikturuar dhe shumicën e kishave.

Sot Vithkuqi vuan nga indiferenca e bashkisë dhe e vetvetes. Lufta më e vështirë nuk është lufta me të tjerët, është lufta me vetveten, ne duhet ta ringrejmë vetveten tonë. Gjithashtu duhen menduar edhe bashkëveprime ndërkomunitare nga bashkia dhe komunat, komunitarizmi është pjesë e rëndësishme e ringritjes së turizmit kulturor.

Te njohesh Vithkuqin në miniaturë është si të njohësh një Korçë e gjysmë e nuk mjafton. Një kopësht Edeni që nuk duhet të presë përgjigjen e Zotit nga qielli. Ai e ka dërguar shenjën e tij plot me 24 kisha ku tashmë kanë ngelur 14. Vithkuqarët duhet të organizohen vetë të ringrejnë vithkuqarët.

 

Lëvizje e shtuar në Kapshticë

Emigrantët kthehen për festat e fundvitit

Korça, Tirana, Vlora e Shkodra destinacionet më të preferuara

Të huajt zgjedhin Shqipërinë për festat e fundvitit!

Nëna kërkon ndihmë nga policia

Zhduket në rrethana misterioze 16-vjeçari

150 familje mbeten pa energji elektrike

Rikthehet dëbora në juglindje të vendit