MENU
klinika

Odiseja e Fondit të Kompensimit

1.6 miliardë lekë dëme për t’u paguar

12.09.2018 - 12:29

Drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare informuan të mërkurën Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me ecurinë e shlyerjes së dëmeve nga Fondit i Kompensimit, ent që duhet të paguajë dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së tha se deri në datë 10 shtator 2018 shoqëritë e sigurimit kanë kryer 59% pagesave të dëmeve të prapambetura nga Fondi i Kompensimit, që në vlerë absolute arrin në rreth 541 milionë lekë dëmshpërblime, të cilat janë marrë nga qytetarët e dëmtuar. Gjithashtu, shoqëritë e sigurimit kanë lidhur marrëveshje për të paguar me këste të nënshkruara me palët përfituese edhe për shlyerjen e detyrimeve në vlerën prej rreth 303 milionë lekë.

Fondi i Kompensimit i miratuar nga Bordi i Autoritetit për vitin 2018 arrin në rreth 1.68 miliardë lekë dhe ky Fond i miratuar nga AMF është më shumë se ai i 3 viteve të marra së bashku, 2014– 2016.

Nga ky fond i miratuar 923 milionë lekë janë detyrimet e prapambetura të cilat janë për t’u ekzekutuar dhe rreth 745 milionë lekë janë për ngjarjet e sigurimit në proces trajtimi apo proces gjyqësor pa vendim të formës së prerë. Një nga problemet më të mëdha të tregut të sigurimeve është pikërisht funksionimi i Fondit të Kompensimit për dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara. Vlera totale e dëmeve të bartura që nga vitit 2002 kishte arritur në rreth 3 miliardë lekë, ndërsa aktualisht besohet se kjo shumë është ulur në afërsisht 1.6 miliardë lekë.