Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka shtyrë afatin e dorëzimit të ofertave për brezin 800 Mhz në datën 3 dhjetor 2018. Sipas vendimit fillestar, të datës 5 korrik, afati i dorëzimit të ofertave ishte data 27 shtator. Por, me një vendim të ri Këshilli Drejtues i AKEP vendosi ta shtyjë këtë javë afatin me shumë se dy muaj.
Zyrtarisht, shtyra e afatit është bërë për shkak të ndryshimeve në dokumentin e tenderit. Ndryshimi, në fakt, konsiston thjesht në saktësimin e faktit se operatorët aktualë që marrin pjesë në garë nuk do të kenë afate kohore për mbulimin me shërbim, për faktin e thjeshtë se ata tashmë e ofrojnë shërbimin 4G/LTE.
Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të zhvillimit të tenderit publik për dhënien e së drejtës të përdorimit të frekuencave” përcakton se në raste të ndryshimeve në dokumentin e tenderit, afati për dorëzimin e ofertave duhet shtyrë me të paktën pesë ditë. Por, në rastin konkret AKEP e ka shtyrë afatin me më shumë se dy muaj. Duket se, megjithatë, ndryshimi në dokument ka qenë më shumë një pretekst për të shtyrë tenderin. Arsyet e shtyrjes mund të jenë disa.
Brezi 800 ende përdoret nga operatorët televizivë për transmetime analoge, të paktën në qarqet e Tiranës dhe Durrësit. Këto transmetime duhet të mbylleshin më 11 shtator, por, nën ndikimin e kryeministrit, Autoriteti i Mediave Audiovizuale e shtyu këtë afat në 15 janar 2019. Në parim, mosfikja e transmetimeve analoge do të pengonte kalimin e këtij brezi në shërbim të operatorëve të komunikimeve elektronike.
Një hipotezë tjetër mund të jetë konstatimi i një interesi të pakët nga operatorët për të paraqitur oferta. Shuma dysheme e përcaktuar nga AKEP është 7.44 milionë euro. Duke pasur parasysh komentet e operatorëve gjatë konsultimit publik, nuk është e thënë që të gjithë të jenë të gatshëm ta paguajnë një shumë të tillë.