MENU
klinika

Përkujtohet Nënë Tereza

“Ambasada e Shqipërisë në USA, në shërbim të njerëzve të varfër”

06.09.2018 - 12:47

Në kalendarin e vjeshtës data 5 shtator është një ditë e shenjtë, e cila zbriti figurën e Nënë Terezës dhe urtësinë e saj sërish në tokë duke na kujtuar dhe këtë vit se asgjë nuk ka rëndësi përpara dashurisë dhe tolerancës që duhet të kemi me njëri tjetrin. Nënë Tereza shpesh thoshte se:

Të varfrit na japin shumë më tepër nga sa u japim ne atyre. Ata janë kaq të fortë, jetojnë çdo ditë pa ushqim e nuk mallkojnë kurrë. Ata nuk ankohen. S’kemi nevojë të tregojmë mëshirë apo simpati për ta. Kemi kaq shumë për të mësuar prej tyre.”

Kështu ambasadorja e Shqipërisë, znj. Floreta Luli-Faber ditën e djeshme zgjodhi të përkujtonte Shën Terezën, ashtu siç vetë gruaja e paqes do të dëshironte dhe dedikoi gjithë jetën e saj, “në shërbim të njërëzve në nevojë”.

Pas ceremonisë në meshën dedikuar Shën Terezës, me falenderimet ndaj punës së palodhur të Shenjtores Shqiptare ndaj njerëzimit, stafi i Ambasadës i shërbeu drekën njerëzve në nevojë që strehohen në Qendrën Humanitare Shën Tereza në Uashington, duke ndjekur kështu edhe një prej këshillave kryesore që ajo la pas: “Jo të gjithë ne mund të bejnë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe!”

Nënë Tereza është një nga njerëzit më të famshëm në botë dhe është shenjtëruar nga Papa Gjon Pali II në vitin 2003. Fituese e çmimit Nobel për paqen, ajo ishte nënë e kujdestare e 7 500 fëmijëve në 60-të shkolla, mjekonte 960 000 të sëmurë në 213 dispanseri. Ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20-të shtëpi pleqsh kishte birësuar 160-të fëmije ilegjitim etj. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80-të derisa ndërroi jetë në vitin 1997. Disa nga thëniet më të famshme të saj në botë janë:

” Të gjithë e provojmë në jetë dhimbjen, vetminë. Duhet të kemi guxim e t’i njohim kur vijnë. Të varfrit mund t’i keni edhe në familjen tuaj. Gjejini. Duajini.”

“Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e tij.”

“Nganjëherë, ne mendojmë se varfëri do të thotë vetëm të jesh i uritur, i zhveshur e pa shtëpi. Varfëria e të qenit i padëshiruar, i padashur, pa njeri që të kujdeset për ty, kjo është varfëria më e madhe. Ne duhet të fillojmë nga shtëpitë tona për t’i dhënë fund kësaj lloj varfërie.”

“Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.”

“Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.”

“Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.”

“Buzëqeshni njëri-tjetrit. Gruas tuaj, burrit tuaj, fëmijës tuaj – nuk ka rëndësi kujt, kjo ju ndihmon ta rrisni dashurinë për njëri-tjetrin.”

“Në qoftë se ne të vërtetë duam të na duan ne duhet të mësojmë se si të falim.”

“Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit – ata në shtëpi.”

“Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri.”

I.A